Ministri i ri i jashtëm gjerman zhvillon bisedën e parë telefonike me homologun e tij amerikan

Shefi i ri i diplomacisë gjermane, Johann Vandeful, zhvilloi bisedën e tij të parë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që nga marrja e detyrës.

Ministri gjerman e përshkroi bisedën si ‘të shkëlqyer’ në një postim në platformën X (më parë Twitter), duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.

Bashkëpunimi ynë transatlantik, duke përfshirë lidhjet e forta në NATO dhe mbështetjen për Ukrainën, mbetet thelbësor për paqen dhe sigurinë,” shkroi Vandeful.

Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit, të dy ministrat diskutuan një sërë prioritetesh të përbashkëta në politikën e jashtme, përfshirë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe çështjen e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet evropiane.

Zëdhënësja Tammy Bruce konfirmoi se diskutimi ishte i hapur dhe konstruktiv.

Kjo bisedë vjen një ditë pas kontaktit të parë zyrtar mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Dy udhëheqësit ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin për të ndalur agresionin rus dhe Trump e ftoi Merzin për një vizitë në Uashington.

Vizita e mundshme e kancelarit Merz pritet të realizohet përpara samiteve të rëndësishme ndërkombëtare që do të mbahen në muajin qershor, samiti i G7 në Kanada (15–17 qershor) dhe ai i NATO-s në Hagë (24–25 qershor).