'Një mënyrë për të hequr mendjen'/ Papa i ri amerikan luan rregullisht këtë video-lojë

Papa Leo XIV, i zgjedhur të enjten si papa i parë amerikan në histori, rezulton se është edhe një adhurues i video-lojërave fjalësh.

Kardinali Robert Prevost nga Chicago, i cili mori emrin papnor pas zgjedhjes në Konklavë, ka një zakon të veçantë: luan rregullisht lojën “Wordle” të New York Times.

Në një intervistë për NBC Chicago, vëllai i tij, John Prevost, tregoi detaje të rralla nga jeta personale e papës së ri.

Ai tha se kishte biseduar me Robertin vetëm pak orë para fillimit të konklavës, dhe se një nga temat e bisedës ishte pikërisht filmi “Konklava” i vitit 2024, që përshkruan një zgjedhje imagjinare papnore.

“E kishte mbaruar sapo filmin. Doja t’ia largoj pak mendjen nga ngjarja reale”, tha John.

Por nuk ishte vetëm filmi që i lidhte si vëllezër — edhe video-lojërat kishin një vend të rëndësishëm në bisedat e tyre. “Diskutuam për Wordle dhe Words with Friends.

Është diçka që e bëjmë rregullisht”, shtoi ai.

Wordle është një lojë online ku lojtarët përpiqen të gjejnë një fjalë prej pesë shkronjash brenda gjashtë përpjekjeve, ndërsa Words with Friends është një lojë e ngjashme me Scrabble, që luhet me radhë mes dy personave.

Edhe pse tani Papa Leo XIV do të mbajë një nga rolet më të rëndësishme shpirtërore në botë, duket se pasioni për lojërat e fjalëve mbetet një mënyrë e thjeshtë për t’u relaksuar — edhe në Vatikan.