Skandal në Formula 1/ Shefi i skuadrës zhduket në Dubai, një bagazh makine me para dhe ‘hija’ e Putin në sfond
Skuadra e Alpine në Formula 1 ka pësuar një ndryshim shumë të rëndësishëm këtë javë.
Shefi i skuadrës, 37-vjeçari anglez Oliver Ouks, dha dorëheqjen këtë të martë nga detyra e tij, duke i lënë vendin italianit Flavio Briatore.
Ouks ishte në Majemi gjatë garës së fundjavës, por më pas erdhi vendimi i papritur.
Për të tjerët, por jo për botën e Formula 1, pasi me sa dukej, të gjithë ishin të bindur se kjo do të ndodhtë shumë shpejt.
Arsyeja është një histori e denjë për filmat me spiunë.
Britanikja “The Telegraph” raporton se vëllai i tij, Uilliam, ishte arrestuan më 2 maj në zonën e Silverstonit, ku gjendet edhe pista e famshme automobilistike.
Policia kishte ngritur ndaj tij akuza për pastrim parash për aktivitete kriminale, pasi ishte gjetur me sasi të mëdha me vete, në bagazhin e makinës së tij.
Problemi? Uilliam Ouks është bashkëdrejtuesi i Hitach Grand Prix, skuadrës së garave që zotëron Oliver, tashmë ish-drejtues në Formula 1 i cili motivoi vendimin e tij me “arsye personale”. Ai kishte blerë Hitach Racing në vitin 2015 dhe mori pjesë në Formula 3 me pilotë si Nikita Mazepin dhe Xhorxh Rasëll.
Në vitin 2020, Hitach GP mori pjesë në Formula 2 me Mazepin si pilot.
Në atë periudhë, skuadra ishte 75% në pronësi të babait të Nikita, Dmitri Mazepin, i cili është një njeri i afërt i Vladimir Putin.
Nëntë ditë para se Rusia të sulmonte Ukrainën në shkurtin e vitit 2022, Ouks mori në pronësi të plotë ekipin, duke blerë aksionet e Mazepin vetëm 3 ditë para se Anglia të vendoste sanksione për të gjithë njerëzit e afërt të Putin.
Një lëvizje që u përmend edhe në parlamentin britanik.
Për momentin nuk ka asnjë deklaratë apo informacion për lidhje direkte të Oliver me arrestimin e vëllait të tij.
Por është fakt që Oliver ka udhëtuar pas garës në Majemi drejt Dubait, dhe që atëherë, askush nuk di më gjë për të…
