MESAZHE HUMANIZMI NË VIZATIME! Ekspozita, fushatë e Kryqit të Kuq: Fëmijët japin mesazhin e tyre
Në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq, u çel në Ekspozita Kombëtare “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq”, ku u ekspozuan vizatimet më të mira nga mbi 13 mijë nxënës pjesëmarrës në një fushatë disa mujore. Kryqi i Kuq Shqiptar shpalli 14 fitues, duke përcjellë mesazhin e fuqishëm gjithmonë në krah të humanizmit.
Ngjyra, shpirt dhe mesazhe humanizmi…
Në çdo vizatim, një tregim. Në çdo fije ngjyre, një ndjesi.
Fëmijët nga e gjithë Shqipëria kanë sjellë në letër emocionet dhe vlerat që përfaqëson Kryqi i Kuq – ndihmën, dashurinë për tjetrin, dorën e shtrirë në kohë nevoje.
Në Ditën Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe u hap Ekspozita Kombëtare “Fëmijët dhe Kryqi i Kuq” aktivitet i një fushate disa mujore që ka përfshirë 13 mijë nxënës nga 250 shkolla 9-vjeçare në mbarë vendin.
Në këtë ekspozitë u përzgjodhën dhe u prezantuan punimet më të mira – mes rreth 3000 veprash të realizuara në teknika të ndryshme artistike.
Presidenti i Kryqit të Kuq, Ylli Alushi u shpreh se Kryqi i Kuq Shqiptar jo vetëm që kremtoi misionin e tij humanitar, por edhe solli në qendër të vëmendjes zërin e fëmijëve – të ardhmen e solidaritetit dhe humanizmit.
Ndërsa shpalli 14 fitues për punimet më të mira, Kryqi i Kuq Shqiptar me këtë ekspozitë përcjell një thirrje të qartë: Të jemi gjithmonë në krah të humanizmit.


