5 Maji i Dëshmorëve, makina e Noizit dhe një poezi e Jorgo Bllacit për vëllanë e rënë në luftë

Sikur dikush të thoshte dy fjalë.

Dy fjalë të ndjera, siç e kërkon kodi i nderimit të të rënëve.

Sepse sot është 5 maj.

Është dita e kujtesës dhe e nderimit të dëshmorëve të atdheut.

Askush nuk foli.

Kryeministri nuk ishte. Edhe pse duhej të ishte, ai zgjodhi të shkonte në Pogradec a Korçë. Është në fushatë. Më 11 maj është dita e zgjedhjeve.

Por, ishte Presidenti i Republikës. Edhe ai mund të fliste. Është Kryetari i Shtetit.

Shqipëria është një vend antifashist. Jo prej ndonjë dekreti a vendimi. Por, prej gjakut e prej luftës.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare jo vetëm e çliroi Shqipërinë. Por, edhe e shpëtoi. E shpëtoi dhe e nderoi. E renditi me fitimtarët, në koalicionin e madh botëror antifashist, bashkë me tre fuqitë e mëdha fituese; Bashkimin Sovjetik, Britaninë e Madhe dhe SHBA.

Pa luftën e Qemal Stafës dhe brezit që ai përfaqëson, pa gjakun e tyre e pa sakrificat që bëri i gjithë populli ynë, Shqipëria nuk do të ishte kjo që është. Antifashiste dhe e nderuar jo e jo.

E ku tjetër më mirë e më me vend se sa në 5 majin e vitit të tetëdhjetë të fitores mbi fashizmin, mund të flitej për sakrificat e kontributin e madh të shqiptarëve në arritjen e fitores së madhe?!

Të paktën të flitej aq sa u fol për makinën e Noizit.

Po kush të fliste? Presidenti nuk di.  Dhe më mirë që nuk di. Sepse ai ngaqë nuk di është aty ku është. Kryeministri nuk ishte. Të tjerët, si të tjerët…

Në Varrezat e Dëshmorëve, edhe pse ashtu të dëmtuara, të pluhurosura e të lëna pa përkujdesje, (ç’ka në fakt dëshmon “vëmendjen” dhe hipokrizinë e sjelljes shtetërore!), sot ishte si gjithmonë, malli dhe nderimi i të afërmve të tyre, i pasardhësve, i qytetarëve që nderimin dhe mirënjohjen e kanë virtyt.

Edhe poeti i paharruar Jorgo Bllaci, është gjendur si shumë të tjerë në mes të absurdit të harresës e mungesës së nderimit për të rënët, në të cilin gjenden edhe sot të afërmit dhe familjarët e dëshmorëve.

Poezia me titullin “Te varri i tim vëllai” i thotë të gjitha mjeshtërisht. Po e ndaj me ju edhe si homazh sot në 5 majin e dëshmorëve të atdheut.

TE VARRI I TIM VËLLAI

E di që më ke pritur, vëlla,

E mbase dhe ke thënë me vete:

“Po ky njeri pse s’bëhet gjallë? Ç’ka,

Që thuajse një jetë

Nuk vjen këtu së paku për t’u çmallur?”.

I shtrenjti im!

Në këtë kënd të qetë

Ku s’fishket lulja e moshës,

Gjashtëmbëdhjetë vjeç ke mbetur ti,

Po mua nuk m’u nda stuhi’ e kohës,

Më la pa fletë që filiz të ri.

Aq sa përpara kohe krejt jam thinjur.

Ndaj në s’kam ardhur deri sot, besomë,

S’kam dashur që me lotin tim të hidhur

Të ta helmoja shpirtin tënd të njomë.

Se ty të mori plumbi armik, po mua

M’i nxinë ditët mizorisht ata

Që më të shtrenjtat, ëndërrat e tua,

Ti amanet ua le, o im vëlla!

 

Po sot s’kam ardhur të të qaj,

As të t’ankohem për kalvarin tim.

Një tjetër brengë kam që s’di me kë ta ndaj

Në këtë mot zhgënjimesh pa mbarim!

Se s’më kish vajtur nëpër mendje kurrë

T’arrinte marrëzia gjer këtu,

Sa me kurora lulesh e flamurë

Të rivarrosen vrasësit e tu

Edhe të mijëra djem e vajza që si ti

Atdheun duke vënë përjetësisht mbi veten,

N’altarin e lirisë bënë fli

Atë ç’ka patën më të shtrenjtën, jetën!

 

Oh, kur mendoj se ajo turmë e çmendur

Mund të të shkelë edhe ty mbi varr,

Vëlla, më ngjethet mishtë e s’më mban vendi,

Ndaj erdha të të marr.

Dhe meqë te kjo tokë që e pandehëm mëmë,

Që ti i fale gjakun, unë shpirtin tim,

Të afërmit e varfër s’arritën të na lënë

Asnjë pëllëmbë truall trashëgim,

Do të të gjej një kënd mes këngëve të mia,

Të prehesh në qetësi,

Larg britmave t’atyre që u ka hyrë babëzia

Ta lënë këtë vend pa histori!