Banka e Shqipërisë kufizon kredinë që mund të marrin qytetarët për të blerë shtëpi
Banka e Shqipërisë ka kufizuar kredinë që mund të marrin qytetarët për të blerë shtëpi.
Kjo u bë me dije nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një konferencë për shtyp ditën e sotme, i cili tha se u vendos një tavanë për kredinë që do të marrin qytetarët për të blerë një shtëpi.
Sipas tij, maksimumi i huasë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë.
'Vendosëm një tavan për kredinë që do të marrin qytetarët për të blerë shtëpi.
Kemi vënë tavan për këstin e kredisë. Maksimumi i huasë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë.
Në valutë të huaj do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë ose më shumë. Maksimumi 40% do të jetë kësti i kredisë në lekë Maksimumi 30% do të jetë kësti i kredisë për atë në valutë', tha ai.
Teksa u ndal tek profili i rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, ai tha se ka mbetur i ngjashëm me atë të vitit të shkuar.
'Profili i rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 duket se ka mbetur i ngjashëm me atë të vitit të shkuar.
Rritja ekonomike ka vijuar të pasqyrojë zgjerimin e konsumit familjar, investimeve të biznesit, dhe të ardhurave të turizmit.
Rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat pasqyron bilancet e shëndosha të biznesit e të familjeve, besimin e tyre për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend.
Nga ana tjetër, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, bilanci i shkëmbimit tregtar të mallrave pritet të ketë një kontribut negativ, ndërsa politika fiskale vijon të ruajë trajta konsoliduese.
Ky profil kërkese vijon të ushqejë kryesisht zgjerimin e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë një ecuri më të ngadaltë', tha ai.
Pak kohë më parë Banka e Shqipërisë nisi të hartojë masat që do të ndërmerren për të kufizuar kredidhënien për pasuri të paluajtshme për shkak të ekspozimit të bankave ndaj këtij sektori.
Banka studioi mundësinë për të caktuar tavan për vlerën e kredisë që mund të jepet për blerje prone apo për afatin e shlyerjes.
Pika tjetër që u vlerësua nga Banka kishte të bënte me kufizimin e maturimit të kredisë, pasi kreditë për individë kanë afate kthimi deri 30 vjet, ndërsa u shqyrtua edhe aplikimi i kushteve shtesë për kreditë për blerje të shtëpisë së dytë apo të tretë për qëllim investimi.
