Tare: Shqipërisë i mungon industria e shërbimit dhe forca punëtore, turizmi po rritet më shpejt se përgatitja
Studiuesi Auron Tare, në një lidhje direkte për emisionin “Ora e Betit” në “Ora News”, tha se ndonëse numri i vizitorëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit, vendi ende nuk ka ndërtuar një industri të mirëfilltë turistike, për shkak të mungesës së traditës, investimeve në shërbim dhe forcës punëtore.
"Turizmi në Shqipëri të paktën 5-6 vitet e fundit, ndoshta edhe pas Covidit ka pasur një rritje të kënaqshme në numrin e vizitorëve.
Për herë të parë pas viteve 90 turizmi po kthehet në një kryefjalë si për ekonominë e vendit por edhe për rritjen e të ardhurave tek popullata.
Nuk ka asnjë lloj argumenti që numrat e vizitorëve në Shqipëri po rriten por a është kjo rritje kaq e shpejt rritja e duhur?
Është një rritje shumë e shpejtë për të krijuar një infrastrukturë, por jo vetëm sepse turizmi nuk është vetëm rrugë, por është në rradhë të parë shërbim dhe industri e cila është e bazuar tek shërbimi.
Unë nuk e shoh ende Shqipërinë si një vend me industri turistike, ku shërbimi është primar.
E para sepse jo vetëm mungon tradita por mungon dhe shtytja apo mbështetja për të krijuar industrinë e shërbimit por mungon gjithashtu edhe forca punonjëse", u shpreh Tare.
