Frika e FIFA-s për Botërorin e Klubeve, rrezikon të mos ketë kampionin e sivjetshëm të Champions-it

FIFA është gati të inaugurojë edicionin e parë të madh të Kupës së Botës për Klube, me pjesëmarrjen e 32 ekipeve që do të luftojnë për të fituar një trofe që synon të jetë i barasvlershëm me Kupën e Botës për kombëtare që mbahet çdo katër vjet.

Pak javë para fillimit të këtij turneu që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara nga data 14 qershor deri më 13 korrik, aktualisht ekziston një mundësi 50% që finalistët e Ligës së Kampionëve – kompeticioni më i ndjekur në nivel klubesh në botë – të mos marrin pjesë në këtë turne të ri të FIFA-s.

Nga katër gjysmëfinalistët që luftojnë për trofeun, Barcelona dhe Arsenali nuk janë në mesin e ekipeve që do të marrin pjesë në këtë Kupë të Botës për Klube.

Nëse gjatë kësaj jave Barça fiton në Milano ndaj Interit në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales dhe nëse Arsenali arrin të përmbysë humbjen 0-1 që pësoi në shtëpi nga PSG-ja, atëherë do të jetë fakt i kryer që kampioni i Europës nuk do të jetë në këtë turne të madh që ka ideuar FIFA.

‘Yjet’ e Barcelonës dhe kërcënimi për FIFA-n

Ka edhe rreziqe të tjera për FIFA-n. Në radhët e Barcelonës luajnë lojtarë që këtë sezon po marrin një vlerësim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Së fundmi, Toni Kroos – një ikonë e Real Madridit – e ka cilësuar Pedrin si “më të mirin në botë në rolin e tij”.

Po ashtu, Raphinha Dias është përmendur si një kandidat potencial për Topin e Artë falë statistikave të tij në gola dhe asistime.

Dhe më shumë se të gjithë, Lamine Yamal, i cili vetëm 17 vjeç, po konsolidohet në skenën ndërkombëtare në mënyrë të rrufeshme, duke marrë lavdërime nga figura si Erling Haaland, Thierry Henry apo Rio Ferdinand.

E gjithë kjo atmosferë është prezente në prag të këtij edicioni të parë të Kupës së Botës për Klube. Duke përdorur logjikën më të thjeshtë, FIFA-s do t’i leverdiste shumë më tepër një finale e Champions League mes Interit dhe PSG-së, sesa një mes Barcelonës dhe Arsenalit.

Infantino “zbulon” hapur simpatinë e tij

Për të shtuar më tej dyshimet, ka mjaftuar që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të shfrytëzonte praninë e tij të dielën në Çmimin e Madh të Miamit në Formula 1 për të shfaqur trofeun e Kupës së Botës për Klube.

Me një buzëqeshje të hapur, ai deklaroi: “Të gjithë e dinë që unë jam tifoz i Interit.”

Një pohim që nuk kaloi pa u vënë re në një moment delikat për futbollin evropian dhe që e ushqen më tej ndjesinë në Katalunjë se gjithçka është e kuruar për të penguar Barçën dhe Arsenalin nga skena e madhe e FIFA-s.