Si u bë Aldrich Ames spiuni më i dëmshëm i SHBA-së

Për gati një dekadë, Aldrich Ames shiti informacione sekrete te Bashkimi Sovjetik, duke komprometuar më shumë se 100 operacione të fshehta dhe duke çuar në vdekjen e të paktën 10 agjentëve perëndimorë.

Me 28 prill 1994, spiuni i dyfishtë u dënua me burgim të përjetshëm.

Në shkurt të atij viti, BBC foli me një nga spiunët që u tradhtua nga Ames, por që arriti të mbijetojë.

Në vitin 1985, agjentët sovjetikë që punonin për CIA-n filluan papritur të zhdukeshin.

Njëri pas tjetrit, këto burime të inteligjencës perëndimore kapeshin nga shërbimi sekret sovjetik, KGB, merreshin në pyetje dhe, shumë shpesh, ekzekutoheshin.

Oleg Gordievsky ishte një nga këta agjentë të dyfishtë. Si shefi i stacionit të KGB-së në Londër, ai kishte punuar fshehurazi për shërbimin sekret të jashtëm britanik, MI6, për vite me radhë.

Por një ditë ai u gjet në Moskë, i droguar, i rraskapitur pas pesë orësh marrje në pyetje, dhe përballej me mundësinë reale të ekzekutimit. Gordievsky i shpëtoi vdekjes pasi MI6 arriti ta nxirrte fshehurazi nga Bashkimi Sovjetik, i fshehur në bagazhin e një makine.

Më pas, Gordievsky u përpoq të zbulonte se kush e kishte tradhtuar. "Për gati nëntë vjet kam bërë hamendësime se kush ishte burimi që më tradhtoi, dhe nuk dija përgjigje," i tha ai BBC-së në një intervistë për "Newsnight" me 28 shkurt 1994.

Dy muaj më vonë, Gordievsky mori përgjigjen kur veterani i CIA-s, Aldrich Ames, u paraqit në një sallë gjyqi në SHBA dhe pranoi se kishte kompromentuar "praktikisht të gjithë agjentët sovjetikë të CIA-s dhe shërbimeve të tjera amerikane dhe të huaja që njihja".

Me 28 prill 1994, Ames pranoi se kishte zbuluar identitetet e më shumë se 30 agjentëve që spiunonin për Perëndimin dhe kishte kompromentuar mbi 100 operacione të fshehta.

I njohur nga KGB me emrin e koduar "Kolokol" (Kambana), tradhtia e Ames çoi në ekzekutimin e të paktën 10 bashkëpunëtorëve të CIA-s, përfshirë gjeneralin Dmitri Polyakov, një zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake sovjetike që kishte furnizuar Perëndimin me informacion për më shumë se 20 vjet.

Ames, spiuni më i dëmshëm i KGB-së në historinë e SHBA-së, u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.

Ashtu siç kishte tronditur Britaninë ekspozimi i spiunimit të Kim Philby-t në vitet 1960, "tani ishte radha e Uashingtonit të shikonte me mosbesim shkallën e dëmit të shkaktuar nga Ames," tha gazetari Tom Mangold në vitin 1994.

Ishte pozicioni i Ames-it si kreu i departamentit të kundërzbulimit sovjetik të CIA-s që i dha atij mundësinë të shkaktonte kaq shumë dëm.

Ai kishte akses pothuajse të pakufizuar në informacionin e klasifikuar për operacionet e fshehta kundër Bashkimit Sovjetik dhe, më e rëndësishmja, njihte identitetet e agjentëve në terren.

Pozicioni i tij gjithashtu i lejonte të merrte pjesë në marrjen në pyetje të agjentëve nga shërbimet e tjera perëndimore.

Kështu u krijua situata e çuditshme ku "dezertori më i rëndësishëm i KGB-së po merrej në pyetje nga spiuni më i rëndësishëm i KGB-së", siç e përshkroi Mangoldi.

"Amerikanët ishin shumë të kujdesshëm dhe të aftë në marrjen në pyetje," tha Gordievsky. "Isha entuziast. Më pëlqenin amerikanët. Doja të ndaja njohuritë e mia me ta, dhe tani kuptoj se [Ames] ishte aty i pranishëm.

Kjo do të thotë që gjithçka, të gjitha përgjigjet e reja që jepja, ai duhet t'ia ketë kaluar KGB-së."

Ames ishte njohur me botën e spiunazhit që herët. Babai i tij ishte analist në CIA dhe ndihmoi që djali i tij të futej në agjenci pasi Ames ndërpreu studimet universitare.

Por vendimi i Amesit për të tradhtuar CIA-n do të shtyhej më shumë nga nevoja për para sesa nga bindjet ideologjike.

Fillimisht, Ames tregoi aftësi si oficer kundërzbulimi. Ai u dërgua me gruan e tij Nancy Segebarth, gjithashtu një agjente e CIA-s, në Turqi në fund të viteve 1960, ku kishte detyrën të rekrutonte agjentë të huaj.

Por në vitin 1972, eprorët e thirrën përsëri në selinë e CIA-s, duke vlerësuar se nuk ishte i përshtatshëm për punë në terren. Në SHBA, ai studioi gjuhën ruse dhe u caktua në planifikimin e operacioneve kundër zyrtarëve sovjetikë.

Lufta e babait të tij me alkoolin kishte penguar karrierën e tij në CIA, dhe njësoj, konsumimi i tepërt i alkoolit nga vetë Amesi filloi të dëmtonte rrugëtimin e tij profesional.

Në vitin 1972, një agjent tjetër e gjeti të dehur dhe në një situatë të papërshtatshme me një punonjëse tjetër të CIA-s.

Situata u përkeqësua edhe më shumë nga pakujdesia e tij në punë, që kulmoi në vitin 1976 kur harroi një çantë me dokumente të klasifikuara në një metro.

Për të shpëtuar karrierën, Ames pranoi një detyrë të dytë jashtë vendit në Mexico City në vitin 1981, ndërsa gruaja e tij qëndroi në New York.

Por sjellja e tij dhe pirja e pandërprerë e alkoolit bënë që ai të mos dallohej si oficer i CIA-s. Në vitin 1981, ai u përfshi në një aksident trafiku në Mexico City dhe ishte aq i dehur sa nuk ishte në gjendje të përgjigjej në pyetjet e policisë ose të njihte një zyrtar të ambasadës amerikane që kishte ardhur për ta ndihmuar.

Pas një grindjeje të ashpër dhe plot sharje me një zyrtar kuban në një pritje diplomatike, eprori i tij rekomandoi që CIA ta vlerësonte për varësi nga alkooli pas kthimit në SHBA.

Ames vazhdoi të kishte lidhje jashtëmartesore, njëra prej të cilave do të rezultonte një pikë kthese për të. Në fund të vitit 1982, ai nisi një marrëdhënie me një atashe kulturore kolumbiane të rekrutuar për të punuar për CIA-n, Maria del Rosario Casas Dupuy.

Romanca e tyre u bë gjithnjë e më serioze derisa Ames vendosi të divorcohej nga gruaja e tij e parë, të martohej me Rosarion dhe ta sillte atë me vete në SHBA.

Megjithëse performanca e tij në CIA ishte larg të qenit e shkëlqyer, Ames vazhdoi të ngjitej në karrierë.

Në kthimin e tij në selinë e Agjencisë në vitin 1983, ai u emërua shef i degës së kundërzbulimit për operacionet sovjetike, duke i dhënë akses të gjerë në informacion rreth aktiviteteve të fshehta të CIA-s.

Ames kishte rënë dakord si pjesë e marrëveshjes së divorcit me Nancy-n të paguante borxhet që kishin grumbulluar si çift, si dhe të paguante mbështetje mujore.

Të përkeqësuara nga shpenzimet e larta të gruas së tij të re Rosarios, dashuria e saj për blerje luksoze dhe telefonatat e shpeshta drejt Kolumbisë, problemet financiare të Amesit dolën jashtë kontrollit.

Më vonë ai i tha senatorit të Arizonës, Dennis DeConcini, se ishte pikërisht kjo barrë financiare që e shtyu të mendonte për shitjen e sekreteve që kishte në dorë.

"Ndjeva shumë presion financiar, për të cilin, me kalimin e kohës, kuptova se po reagoja keq," tha Ames.

"Çështja kishte të bënte me para, dhe nuk mendoj se ai ndonjëherë përpiqej t'ua fshihte të tjerëve këtë," tha për BBC-në në 2015, agjenti i FBI-së Leslie G. Wiser, që ishte pjesë e hetimit që çoi në arrestimin e Amesit.

Me 16 prill 1985, pasi kishte pirë disa gota për të mbledhur guximin, Ames hyri drejt e në ambasadën ruse në Uashington DC. Brenda, ai i dorëzoi recepsionistit një zarf që përmbante emrat e disa agjentëve të dyfishtë, dokumente që vërtetonin pozicionin e tij në CIA, dhe një shënim ku kërkonte 50,000 dollarë.

Ai do të pretendonte më vonë në një raport të Senatit se fillimisht kishte menduar se kjo do të ishte një marrëveshje një herë e vetme për të dalë nga kriza financiare, por shumë shpejt kuptoi se kishte "kaluar një vijë nga e cila nuk mund të kthehej më pas".

Për nëntë vitet në vijim, Ames paguhej për t’u dorëzuar sovjetikëve sasi të mëdha informacioni shumë të klasifikuar.

Ai merrte dokumente sekrete, që përfshinin gjithçka, nga pajisjet përgjuese të lidhura me objektin hapësinor të Moskës, deri te teknologjitë më të avancuara për numërimin e koka bërthamore të raketave sovjetike, i mbështillte në qese plastike dhe thjesht i nxirrte jashtë ndërtesës së CIA-s.

Duke qenë se roli i tij përfshinte takime zyrtare me diplomatë rusë, ai shpesh mund të takonte bashkëpunëtorët e tij ballë për ballë pa ngjallur dyshime.

Gjithashtu, ai linte pako me dokumente në vende të fshehta të paracaktuara, të quajtura "vendgrumbullime".

"Kur kishte për të bërë një dorëzim të tillë, më parë bënte një shenjë me shkumës mbi një kuti postare, për shembull, dhe rusët, kur e shihnin atë shenjë, e kuptonin se vendgrumbullimi ishte mbushur me dokumente," shpjegoi Wiser.

"Më pas, pasi i merrnin dokumentet, ata fshinin shenjën, dhe kështu Ames kuptonte që dorëzimi ishte bërë në mënyrë të sigurt."

Përmes rrjedhjes së informacionit sekret nga Ames, KGB-ja ishte në gjendje të identifikonte pothuajse të gjithë spiunët e CIA-s në Bashkimin Sovjetik, duke paralizuar plotësisht operacionet sekrete amerikane në atë territor.

"Nuk di për asnjë spiun tjetër në SHBA që të ketë shkaktuar një humbje kaq të madhe jete njerëzore në radhët e bashkëpunëtorëve," tha Wiser.

Zhdukja e papritur e kaq shumë agjentëve të CIA-s ngriti alarmin dhe shkaktoi një hetim të brendshëm për një spiun në radhët e saj në vitin 1986, por Ames vazhdoi të mbetej i pazbuluar për pjesën më të madhe të një dekade.

Dhe ai u pagua mirë për tradhtinë e tij, duke marrë rreth 2.5 milionë dollarë nga Bashkimi Sovjetik.

Ames nuk bëri shumë përpjekje për të fshehur pasurinë e re: ndonëse nuk kishte asnjëherë një rrogë më të madhe se 70,000 dollarë në vit, bleu një shtëpi të re prej 540,000 dollarësh me para në dorë, shpenzoi dhjetëra mijëra dollarë për përmirësime të shtëpisë dhe bleu një makinë Jaguar.

Ishte pikërisht kjo mënyrë jetese e shfrenuar që tërhoqi vëmendjen dhe çoi në arrestimin e tij nga ekipi i FBI-së i udhëhequr nga Wiser në vitin 1994.

Pas arrestimit, Ames bashkëpunoi me autoritetet. Ai dha detaje të plota mbi aktivitetet e tij të spiunazhit në këmbim të një marrëveshjeje që siguronte një dënim më të lehtë për Rosarion, e cila pranoi se kishte dijeni për paratë dhe për takimet e tij me sovjetikët.

Ajo u lirua pas pesë vitesh. Ndërkohë, Ames, oficeri më i lartë i CIA-s që u zbulua si agjent i dyfishtë, vazhdon të vuajë dënimin e përjetshëm në një burg federal në Terre Haute, Indiana.

Edhe sot e kësaj dite, Ames ka treguar shumë pak pendesë për veprimet e tij apo për vdekjet që shkaktoi. "Ai kishte një mendim shumë të lartë për veten," tha Wiser për Amesin. "I vjen keq që u kap. Nuk i vjen keq që ishte spiun."