Fjalorth i 10 trendeve të reja në botën e punës

Në fjalorin e vitit 2025, GoodHabitz ka identifikuar 10 trende pune për t’i mbajtur nën vëzhgim.

Por, çfarë është GoodHabitz? 

GoodHabitz është një platformë trajnimi online që u ofron bizneseve një gamë të gjerë kursesh për të rritur produktivitetin, pozitivitetin dhe kënaqësinë në punë.

Nga fuqia punëtore te rekrutimi e deri te teknologjia e burimeve njerëzore, këto janë shprehjet që përcaktojnë punën në vitin 2025:

1. Quiet Cutting: Termi i referohet kompanive që i riorganizojnë punonjësit në role të ndryshme në vend që t’i pushojnë plotësisht nga puna. Kjo praktikë i ndihmon kompanitë të ulin kostot dhe të mbajnë talentin, megjithëse kjo vjen në kurriz të aspiratave të karrierës së punonjësve.

2. Boomerang Employees: Këta janë punëtorë që largohen nga një kompani dhe kthehen më vonë. Avantazhi i këtij lloji stafi është se njohja e tyre me kulturën e kompanisë shpesh e bën riintegrimin e tyre më të lehtë dhe nga ana tjetër sjell një frymë të re aftësish.

3. Green Collar Jobs: Role që përqendrohen në përgjegjësinë mjedisore, energjinë e rinovueshme dhe praktikat e qëndrueshme të biznesit. Këto pozicione po fitojnë rëndësi ndërsa kompanitë përpiqen të arrijnë objektivat ESG (Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse).

4. Lidership Blue Ocean: I frymëzuar nga “Strategjia e Oqeanit Blu”, ky stil lidershipi përqendrohet në inovacion dhe mundësi të pashfrytëzuara të tregut, në vend që të konkurrojë në industri të ngopura. Udhëheqësit që e përqafojnë këtë qasje i japin përparësi zgjidhjes krijuese të problemeve dhe diferencimit.

5. Empatic Lidership: Një qasje ndaj lidershipit që vlerëson emocionet dhe përvojat e punonjësve, e karakterizuar nga autenticiteti, fleksibiliteti dhe dëgjimi. Të pranosh gabimet e tua, të ndash emocionet dhe të kërkosh mbështetje nuk është shenjë dobësie, por demonstrim force.

6. Reverse Mentoring: Një situatë e veçantë ku punonjësit më të rinj mësojnë kolegë më të vjetër, gjë që ndodh në sektorë të tillë si teknologjia dhe trendet dixhitale, ku të rinjtë kanë tendencë të kenë një avantazh dhe të jenë më të hapur.

7. Talent Cloud: Me rritjen e punës në distancë dhe punës së pavarur, organizatat po shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë një grup virtual profesionistësh globalë që mund të punësohen në një projekt të caktuar, duke lejuar qasje në talentet më të mira pa kufizime gjeografike.

8. Augmented Workforce: Përmes integrimit të Inteligjencës Artificiale dhe automatizimit për të përmirësuar produktivitetin pa zëvendësuar talentin njerëzor, termi përshkruan sinergjinë midis teknologjisë dhe punonjësve.

9. Neurodiversity Hiring: Duke njohur vlerën e aftësive të ndryshme njohëse, kompanitë po punësojnë në mënyrë aktive punonjës neurodivergjentë – njerëz që funksionojnë ndryshe nga norma – për aftësitë e tyre unike në zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë inovative të të menduarit.

10. Skill based Recruiting: Në vend që të mbështetet vetëm në diploma dhe kredenciale, “punësimi i bazuar në aftësi” thekson aftësitë praktike dhe përvojën, duke e bërë punësimin më gjithëpërfshirës dhe dinamik. /ATSH-ANSA/