Vijon ngërçi në Kosovë/ Dështon për herë të nëntë konstituimi i Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të enjten, në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga 110 deputetë prezentë, vetëm 55 deputetë votuan, 54 për dhe 1 kundër. PDK, LDK dhe AAK e kanë kundërshtuar duke thënë se nëse procedohet tutje do ta dërgojnë në kushtetuese.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo që po tenton të bëjë VV-ja është e paprecedentë.

“Prej kur e kemi shpallur pavarësinë, kjo është e paprecedentë. Ndoshta prej fillimi të kishit vendos me votim të fshehtë kish pas kuptim. Mos e  thelloni krizën, propozone një emër tjetër. Mos e ktheni Kuvendin në cirk. Nuk mund ta impononi në mënyrë arbitrare kryesuesin. Nuk keni të drejtë. As sekretariati nuk duhet me iu ngu kërkesa të paligjshme. Kur nuk i keni votat në mënyrë transparente, si mund t’i keni në mënyrë të fshehtë? A e keni naj pazar që ne nuk e dimë? Po krijoni precedentë anti-kushtetues. Është fyerje për qytetarët”, ka thënë ai.

Arbitrare u cilësua kjo mënyrë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Është arbitrare, është shkelje kushtetuese, është shkelje e rregullores. Nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkelje të tua”, ka thënë Bajrami. Edhe Time Kadrijaj nga AAK-së, e ka kundërshtuar procedurën.

Limaj: Konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë nuk mund të bëhet pa marrëveshje politike

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, parti që ka tri vota në Kuvendin e Kosovës tha se konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë është vështirë të bëhet pa një marrëveshje politike të koalicionit i cili e përcakton, e definon dhe e vendosë, sipas tij, shumicën parlamentare.

“Dhe ajo shumicë zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, dhe qeverisë me vendin sipas mandatit ligjor. Kjo është rruga që ndërtohen institucionet, kjo është rruga që bëhet politika në botë, kështu është bërë në Kosovë deri tani. Marrëveshjet politike duhet të ndërtohen para se të futen në kuvend”, tha Limaj.

Ai ka shprehur besimin se kjo do të ndodhë shpejt.

Kadrijaj: LVV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se qytetarët duhet ta dinë se Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po bllokon konstituimin e Kuvendit.

Sipas saj, AAK-ja ka propozuar dy emra për t’i votuar për kryeparlamentare, por siç thotë ajo, VV-ja nuk po do të dalë nga kriza.

“S’kemi votë në këto rrethana. Për zhbllokimin e kësaj situate kemi propozuar dy emra, por nuk po duan. Edhe partitë e tjera kanë shprehur gatishmëri të votojnë tjetër kandidat. Qytetarët duhet ta dinë se VV-ja është bllokuese e konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar Kadrijaj.

Ajo u shpreh se edhe nëse do të ishin të ftuar në takimin e sotëm nga Kurti nuk do të kishin shkuar.

Peci: Nëse janë të interesuar që ne të jemi në opozitë, ata sa më parë duhet të votojnë kryetarin e Kuvendit

Bashkëkryetari i partisë “Guxo” që është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Faton Peci ka thënë se nuk ka asgjë të jashtëligjshme t’i kërkohet deputetëve vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

“Nuk ka asgjë të jashtëligjshme dhe jo të pranueshme nëse kërkohet vota e deputetëve. Nuk kam kontaktuar me asnjë deputet të opozitës, prej këtu po u bëj thirrje ta votojnë kryetarin e Kuvendit. Nëse partitë opozitare kanë shkuar në zgjedhje me idenë për të na dërguar në opozitë, ekziston vetëm një mundësi, votimi i kryetares së Kuvendit, zhbllokimi  krijimit të institucioneve, kuvendit fillimisht”, tha ai.

I pyetur se nëse duhet të ndryshojë qëndrim LVV-ja sa i përket emrit të kandidates, tha nuk është çështje oferte dhe kërkese.

“Kjo është çështje e përcaktimit të Vetëvendosjes e partnerëve të saj për emrin e Albulena Haxhiut. Një e drejtë që e ka dhënë qytetari e Gjykata Kushtetuese përmes interpretimit se e drejta i takon ekskluzivisht partisë fituese, kjo e drejtë nuk mund t’i delegohet atyre që janë humbës të zgjedhjeve”, tha Peci teksa po hynte në Kuvendin e Kosovës, për të provuar për të nëntën herë konstituimin e Kuvendit.

Haziri: LDK shkon në takim vetëm kur duhet me kry punë

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka bërë me dije se partia e tij nuk ndryshon qëndrim sa i përket votimit të Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit. Ai u deklarua edhe për mosshkruarjes së LDK-së në takim me Albin Kurtin, ku thotë se LDK nuk shkon në takim “sa për mu taku”.

“Po mungon një marrëveshje politike që partia e parë duhet me realizu. Për Kuvend dhe Qeveri. Me pas qenë LDK në këtë pozitë, para 5 jave i kishim mbyll këto çështje. Nuk ka vullnet për takim për me zgjidh problemi. Me ba takime sa për mu taku, LDK nuk funksionon kështu, ne shkojmë në takim vetëm kur duhet me kry punë”, ka theksuar ai.

Murati: Refuzimi i LDK-së për takim me Kurtin, një përgjigje e qartë se kush po bllokon Kuvendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj PDK-së dhe LDK-së për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mospranimin e ftesës nga ana e LDK-së, po shihet se kush po bën bllokada të Kuvendit të Kosovës.

Murati para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se refuzimi i LDK-së për takim është një përgjigje e qartë për qytetarët e Kosovës.

“Po qartësohet pra se kush po bën bllokada, refuzimi edhe për të diskutuar për temën besoj që është mjaft e qartë. Kemi edhe hipokrizinë tjetër, ku thuhet që pozita e kryetarit, hajde ta diskutojmë ndërkaq pozita e nënkryetarit na është e garantuar me kushtetutë, e njëjta pozitë është e garantuar me kushtetutë”, tha Murati. /RTK