ASNJË SHENJË PËR QEVERINË! Kurti: Më parë votojmë kryetarin e Kuvendit
Vetëvendosja ende nuk i ka të sigurta 61 votat që i duhen për të formuar qeverinë. Pas dështimit në tetë seanca të zgjedhjes së kryetares së parlamentit Albin Kurti shprehet se më parë duhet të kalohet kjo situatë e më tej të zgjidhet kabineti. Ndërkaq LDK u përgjigj duke refuzuar çdo aleancë
“Një herë Kuvendi, pastaj qeveria”, kjo u dëgjua të thoshte Albin Kurti të mërkurën kur për të disatën herë është pyetur nga gazetarët.
Kjo deklaratë vjen në një moment të pasigurisë institucionale, kur vendi pret konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit dhe kur kanë dështuar 8 seanca për votimin e kryeparlamentarit.
Vetë qëndrimi i Kurtit bën që edhe Vetëvendosja, që doli parti e parë nga zgjedhjet, të pranojë se nuk ka shumicën në parlament
Por mesazhi i kryeministrit në detyrë nuk ka mbetur pa përgjigje.
Nga radhët e opozitës Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, thotë se qeverisja katërvjeçare e Vetëvendosjes e ka çuar Kosovën drejt një rënie të thellë.
“Nën sanksione ndërkombëtare tash e dy vjet”, shkruan Hamiti, duke nënkuptuar se nuk do të pranojnë asnjë emër të vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Kurti deklaratën e tij e bëri për “Istogu Channel” pasi vendosi gurthemelin e projektit të banesave sociale në Istog.
Vetëvendosja në tetë seanca ka propozuar Albulena Haxhiun për të drejtuar parlamentin, por në asnjë rast nuk mori 61 mandatet e kërkuara.
E njëjta mbështetje do të duhet edhe për formimin e qeverisë, ndërsa prej gati një muaj kabineti aktual ka dhënë dorëheqjen.

