FOTO+VIDEO/ S'ka ndryshim të situatës edhe pas takimit me Kurtin, Krasniqi: Të ndryshohet kandidati për kryeparlamentar! Nuk ka marrëveshje!
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë,Albin Kurti, që është lider i Lëvizjes Vetëvendosje, parti që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi që u takuan në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth bllokadës së krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Për rreth një orë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë pasur një takim konsultativ para seancës konstituive.
Krasniqi doli në konferencë për media e tha se nuk ka marrëveshje politike dhe se në emër të zhbllokadës duhet të ndërrohet kandidati për kryeparlamentar.
Krasniqi tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë, dhe ka treguar se Kurtit i ka thënë se duhet të mendojë për emra të tjerë, pos atij të Haxhiut.
“Qëndrimet e PDK-së dhe të mijat janë ato që i dini. Atë që e kam thënë pas çdo dështimi të seancës para jush, ia kam thënë edhe Kurtit. Për PDK-në është me rëndësi sa më shpejt të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet Kuvendi i Kosovës e të hyhet në afatet kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë. Për të ndodhur kjo, padyshim që privilegji kushtetues për ta propozuar kryetarin apo kryetaren i takon partisë LVV”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së parti që doli e dyta nga zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se është është hera e parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë që një parti a koalicion që nuk ka shumicë parlamentare po kërkon të zgjedhe kryetarin ose kryetaren, e sipas tij, një gj e tillë nuk mund të imponohet.

“Edhe Kurtit i thash do të ishte mirë të mendojë për kandidatë e kandidatura të tjera. Ne nuk kemi pasur qëndrim bllokues, mohues. Nuk na takon neve të zgjedhim kryetarin e kuvendit partisë që ka dalë e para. Asnjëherë në të kaluarën nuk është votuar një kryetar prej atyre që nuk kanë marrëveshje politike”.
Krasniqi tha se pozicioni i kryetarit të Kuvendit të Kosovës nuk është pozicion simbolik dhe është shumë i rëndësishëm e mund të jetë kreu i shtetit.
“Mund ta ushtrojë detyrën e presidentit, nuk është as afërsisht i krahasueshëm me nënkryetarët”, tha Krasniqi.
Ai foli edhe për kushtëzimin që e ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje për votimin e nënkryetarëve, e tha se kjo çështje nuk diskutohet.
“Nënkryetarët as që diskutohen. Nuk e kemi ne pozicionin e kryetarit simbolik, është shumë i rëndësishëm. Nuk është i vlerësueshëm me nënkryetarët sepse më herët kryetari i kuvendit e ka luajtur rolin e presidentit”, tha Krasniqi.
FTESAT E KURTIT
Albin Kurti i ftoi dje në takim të përbashkët si kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, ashtu edhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Përmes letrave dërguar atyre, Kurti ka thënë se takimi ka për qëllim konsultativ për konstituimin e Kuvendit.

“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi dje ka konfirmuar gatishmërinë për takim. Ai ka theksuar se do të shkojë në takimin e thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për konsultime për konstitutim të Kuvendit.
“Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t'i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Krasniqi ka thënë se e inkurajon Kurtin që të reflektojë mbi situatën e krijuar dhe të gjej një kandidat siç ka thënë ai, të përshtatshëm për kryetar të Kuvendit.
Kurse përfaqësues të LDK-së kanë refuzuar takimin. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka theksuar se pozita e nënkryetarit që i takon LDK-së nuk është objekt diskutimi me asnjë parti politike./RTK


