Shiten 8,7 miliardë lekë bono thesari me interes 2,78%

Norma e interesit të bonove të thesarit me maturim 12-mujor ka regjistruar një rritje tjetër.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në ankandin e fundit, yieldi mesatar i ponderuar arriti në 2,78% nga 2,7% që ishte në ankandin e javës së fundit të muajit mars.

Interesi për këtë instrument të borxhit ka qenë tepër i lartë, ku në ankand numri i kërkesave ka qenë 16 për një total prej 8,973 miliardë lekësh. Por, në përfundim u pranuan vetëm 14 kërkesa për shumën 8,673 miliardë lekësh.

Për të investuar në bono thesari dhe obligacione, qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë direkte në akandet e Bankës së Shqipërisë ose të investojnë në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve, të pensioneve dhe institucioneve të tjera të autorizuara për investim në këto instrumente.