VIDEO/ Nuk la qytetar pa i grabitur varëse e celularë, arrestohet hajduti në Tiranë

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 28-vjeçar të shpallur në kërkim për disa raste vjedhjesh të ndodhura gjatë muajve të parë të vitit 2024.

Sipas uniformave blu, shtetasi N. D., banues në Tiranë, u lokalizua dhe u ndalua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3, pas një hetimi të detajuar të nisur mbi bazën e kallëzimeve të qytetarëve.

Gjatë operacionit u dokumentua përfshirja e tij në të paktën 7 raste vjedhjeje, të kryera në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas hetimeve paraprake, N. D. dyshohet se ka vjedhur 3 celularë, 2 portofola, aksesorë të një automjeti, si dhe produkte nga një dyqan. Po ashtu, një nga rastet më të rënda lidhet me vjedhjen e një varëseje floriri, të cilën ia ka marrë me forcë një shtetaseje, nga qafa.

Policia vijon punën për të zbardhur dhe dokumentuar raste të tjera të mundshme vjedhjesh që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.