Programi për Shqipërinë digjitale/ Rama me të rinjtë: Synojmë që të gjitha shkollat t’i pajisim me laboratorë inteligjentë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me të rinjtë të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se deri më tani janë 340 laboratorë në shkolla, ndërsa tha se synojnë që numrin ta çojnë në 1000.

Gjithashtu Rama theksoi se së shpejti te Piramida do ketë një shkollë me program specifik dhe inovativ.

“Të shohim përtej këtij programi dhe të gjejmë sesi të shtojmë numrin e rrugëve për të aksesuar teknologjinë, duke krijuar hap pas hapi një sistem. Kemi sot në funksion Durana Tech Park, një tjetër hapësirë ndryshe nga Piramida por e nevojshme për sistemin. Po ashtu po na jep arsye për të qenë të inkurajuar dhe të frymëzuar që të vazhdojmë më tutje. Kemi programin e shtrirjes së qendrave Tumo jashtë Tiranës.

Kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë në shkolla, sot janë 340 shkolla që kanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët që në klasë të parë fillojnë të marrin nocionet e para të teknologjisë dhe kodimit. Plani është që laboratorët inteligjentë të shkojë 1 mijë, të mbulohen të gjitha shkollat, është i financuar tanimë. Është drejt përfundimit struktura në qendër të Vlorës, për një tjetër hapësirë në funksion të këtij sistemi. Po përpiqemi që të zgjerohemi edhe në disa qytete të tjera paralelisht dhe pa dubluar Tumon”, tha Rama.