Lë pas epokën me stilin dhe muzikën e tij/ Regjisori Joseph Kosinski do të risjell në ekran një ribërje të serialit legjendar televiziv të viteve '80, 'Miami Vice'

Regjisori i “Top Gun; Maverick”, Joseph Kosinski, do të sjellë në ekranin e madh një ribërje të serialit legjendar televiziv të viteve '80 “Miami Vice”. I nominuari për çmimin Oscar, Dan Gilroy, do të shkruajë skenarin, duke i dhënë një vështrim të ri historisë së dy policëve të fshehtë të Miamit, Sonny Crockett dhe Ricardo Tubbs.

Me Don Johnson dhe Philip Michael Thomas  në rolet ikonike, seriali origjinal u transmetua me shumë sukses në NBC nga viti 1984 deri në vitin 1989, duke lënë pas një epokë me stilin, muzikën dhe atmosferën e tij.

Një përpjekje e parë për film u bë në vitin 2006, me Jamie Foxx dhe Colin Farrell në kastin kryesor dhe Michael Mann, producentin e serialit origjinal, duke drejtuar filmin. Pavarësisht pritjeve, filmi "Miami Vice" fitoi 165 milionë dollarë në biletari, një shumë që mezi e tejkaloi buxhetin e tij të prodhimit prej 135 milionë dollarësh.

Përveç regjisë, Kosinski do të ketë gjithashtu një rol aktiv në prodhimin e filmit të ri përmes kompanisë së tij, Monolith, ashtu si edhe Dylan Clark , i cili bashkëpunoi me të në trillerin aksion të vitit 2016 "Oblivion".

Regjisori, i cili e udhëhoqi filmin “Top Gun; Maverick” drejt një suksesi botëror në kinema me gati 1.5 miliardë dollarë, do të prezantojë filmin e tij të radhës, dramën e garave “F1” me protagonist Brad Pitt , gjatë verës. Por, përpara se të shkojë në Miami, ai do të drejtojë një thriller të ri konspirativ mbi UFO-t për Apple.