Dëmtimi i Vlahovic-it: Kolo Muani mbart peshën e sulmit të Juventusit

Dusan Vlahovic u detyrua të largohej pas vetëm 45 minutash loje në humbjen e Juventusit ndaj Parmës në stadiumin ‘Tardini’.

Sulmuesi serb nuk u rikthye në fushë për pjesën e dytë për shkak të një problemi muskulor, duke i dhënë trajnerit Igor Tudor një shqetësim të madh për sfidat e ardhshme.

Pas ekzaminimeve të kryera në JMedical, u konstatua se Vlahovic vuan nga një mbingarkesë muskulore në pjesën e përparme të kofshës së djathtë (rectus femoris).

Për pasojë, ai do të mungojë të paktën në sfidën kundër Monzës dhe mbetet në dyshim për duelin ndaj Bologna-s, një ndeshje vendimtare për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Në mungesë të Vlahovic-it dhe të dëmtuarit tjetër Koopmeiners, Tudor përballet me një rebus të vërtetë në repartin ofensiv.

Tani, të gjitha shpresat në sulm bien mbi supet e Kolo Muani, i huazuar me shumë bujë nga PSG në janar.

Francezi, megjithatë, nuk ka shënuar që nga mesi i shkurtit, pavarësisht mbështetjes fillestare të madhe që mori nga Thiago Motta.

Në ndeshjen e kaluar ndaj Parmës, Tudor eksperimentoi për herë të parë me dyshen Vlahovic–Kolo Muani, por pa sukses.

Tani, me rikthimin e Yildiz pas disa shqetësimeve fizike dhe mundësinë për të aktivizuar Conceicao-n nga minuta e parë, trajneri kroat duhet të rindërtojë një repart sulmues që ende nuk ka gjetur ekuilibrin.

Vlerësimet mjekësore parashikojnë që Vlahovic të rikuperohet brenda 7 deri në 10 ditë, por gjithçka do të varet nga ecuria e rikuperimit të tij.

Nëse ai mungon edhe ndaj Bologna-s, Juventus rrezikon shumë, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe financiar, për shkak të rëndësisë së një vendi në Champions League për sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, Kolo Muani ka një mundësi të artë jo vetëm për të rikthyer besimin e klubit, por edhe për të bindur drejtuesit të ushtrojnë të drejtën e blerjes në fund të sezonit. Sfida ndaj Monza-s do të jetë testi i parë në këtë drejtim.