Figo: Në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë, kjo vlen edhe për Real Madridin

Luis Figo nuk ka dyshime: skuadra favorite për ta fituar Champions League këtë sezon është PSG. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, legjenda portugeze e futbollit, ish-lojtar i Interit, Barcelonës dhe Real Madridit, ka komentuar mbi garën më të madhe europiane për klube.

“Pas një fillimi të vështirë në Europë, – tha ai për skuadrën e Luis Enrique, – PSG po kalon një moment shumë pozitiv. Fizikisht është në formë të shkëlqyer. Gjithsesi, është gjithmonë e vështirë të bësh parashikime për atë që mund të ndodhë në Champions League”.

Për Interin, deklarata e Figos është më shumë dëshirë sesa parashikim: “Shpresa ime është që të arrijnë deri në fund të të gjitha garave ku merr ende pjesë. Së fundi u eliminua nga Kupa e Italisë, edhe pse unë besoja se e ka potencialin për ta mbyllur sezonin me tripletë”.

Ndërkohë, ai komentoi edhe eliminimin e Real Madridit të Ancelottit, që nuk do të jetë në gjysmëfinalet e Champions League: “Jam në futboll prej shumë vitesh dhe e di që në botën tonë kujtesa është shumë e shkurtër.

Vështirë të shikosh përtej ndeshjes së fundit, te Real Madridi kjo vlen edhe më shumë. Megjithatë, më duket e pabesueshme që të vihet në diskutim aftësia e një trajneri të kalibrit të Ancelottit, i cili përveç të tjerave është tekniku që ka fituar më shumë me Realin”.

Figo u ndal edhe te reagimet pas eliminimit nga Champions-i: “Më duket absurde që pas ndeshjes kundër Arsenalit, e vetmja pyetje që dëgjohej në radio apo TV ishte për të ardhmen e trajnerit Ancelotti. Në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë, kjo vlen edhe për Real Madridin”.