Vendimi për Qynon, Abilekaj: Një betejë e medias me SPAK-un e çliruar nga zinxhirët, që i vuri zinxhirë SPAK-ut dhe jo pranga medias

Gazetari Enton Abilekaj shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e gazetarit Elton Qyno, i jep të gjithë gazetarëve mundësinë të ushtrojnë profesionin duke respektuar të gjithë deontologjinë profesionale, të mbrojnë burimet, të mos marrin urdhra nga një pushtet tjetër, aq më pak nga një gjysmë-pushtet tjetër, të sigurojnë bazën e materialeve dhe provave pa frikën e bastisjes nga një grup i papërgjegjshëm që i jep pushtet vetes mbi Kushtetutën.

Nga ana tjetër, Abilekaj thekson se ky vendim e çliroi median nga çensura shtetërore, por nuk mund ta çlirojë nga çensura politike dhe ekonomike.

REAGIMI I ABILEKAJT

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e gazetarit Elton Qyno, i jep të gjithë gazetarëve mundësinë të ushtrojnë profesionin duke respektuar të gjithë deontologjinë profesionale, të mbrojnë burimet, të mos marrin urdhra nga një pushtet tjetër, aq më pak nga një gjysmë-pushtet tjetër, të sigurojnë bazën e materialeve dhe provave pa frikën e bastisjes nga një grup i papërgjegjshëm që i jep pushtet vetes mbi Kushtetutën.

Një betejë e medias me SPAK-un e çliruar nga zinxhirët, që i vuri zinxhirë SPAK-ut dhe jo pranga medias. E përcaktoi kufirin e njësisë speciale aty ku ia ka lënë Kushtetuta, si pjesë jo vendimmarrëse e pushtetit Gjyqësor.

Ky vendim e çliroi median nga çensura shtetërore, por nuk mund ta çlirojë nga çensura politike dhe ekonomike. Ato nuk varen nga Gjykata Kushtetuese, por nga vetë gazetarët.

Sot është momenti për të falënderuar 8 gjyqtarët që garantuan aq sa mundën lirinë e shprehjes në vend.