Vr*sja e 15 punonjësve humanitarë, Gjysmëhëna e Kuqe: Raporti i Izraelit, i gënjeshtërt dhe i pavlefshëm
Organizata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze ka kundërshtuar raportin izraelit mbi vrasjen e 15 punonjësve të saj mjekësorë në Gaza, duke e cilësuar atë të pavërtetë. Sipas ushtrisë izraelite, sulmi u justifikua si një gabim në identifikimin e mjeteve mjekësore gjatë një operacioni ushtarak. Ndërsa Organizata humanitare kërkon një hetim të pavarur ndërkombëtar për të zbardhur ngjarjen.
Gjysmëhëna e Kuqe palestineze e ka përshkruar raportin e ushtrisë izraelite mbi vrasjen e 15 punonjësve humanitarë në Gaza më 23 mars, si gënjeshtër dhe "të pavlefshëm".
Ushtria izraelite e përshkroi incidentin si pasojë e “dështimeve profesionale” dhe njoftoi shkarkimin e zëvendëskomandantit të njësisë përkatëse.
Sipas IDF, sulmi ndodhi në një “zonë luftarake armiqësore” dhe komandanti në terren nuk arriti të identifikonte automjetet si mjekësore për shkak të dukshmërisë së ulët gjatë natës.
Megjithatë, video e gjetur në telefonin e një mjeku të vrarë tregon se automjetet kishin sinjalizuesit e emergjencës të ndezur dhe personeli mjekësor ishte me uniforma reflektuese. Pamjet përfshijnë momentet e sulmit dhe lutjen e fundit të njerit prej viktimave përpara se trupat izraelite të afrohen.
Trupat e 15 punonjësve u varrosën në rërë dhe u zbuluan vetëm një javë më vonë për shkak të pamundësisë së agjencive ndërkombëtare për të hyrë në zonë. Gjysmëhënës së Kuqe palestineze dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë kërkuar një hetim të pavarur, duke vënë në dyshim paanësinë e mekanizmit hetimor izraelit.
Shefi humanitar i OKB-së në Gaza, Jonathan Whittall, deklaroi se mungesa e përgjegjësisë reale minon të drejtën ndërkombëtare dhe rrit rrezikun për krime të përsëritura.

