Ukraina: ”Fox News” të kërkojë falje për etiketimin e Kievit si qytet rus

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka kritikuar ashpër transmetuesin amerikan ”Fox News”, pasi rrjeti e identifikoi gabimisht Kievin si një qytet rus në një titull në ekran.

“Nëse ky ishte një gabim dhe jo një deklaratë e qëllimshme politike, duhet të kërkohet falje dhe një hetim se kush e bëri gabimin”, shkroi zëdhënësi i ministrisë, Heorhii Tykhyi në X.

Gabimi ndodhi gjatë mbulimit të shërbimeve fetare të Pashkëve, në të cilat ”Fox News” shfaqi njëkohësisht pamjet nga Kievi, Moska dhe Vatikani.

Kievi u etiketua gabimisht si pjesë e Rusisë në titull.

Etiketimi i gabuar tërhoqi kritika duke pasur parasysh reputacionin e ”Fox News” si një platformë e lidhur me presidentin e SHBA Donald Trump, i cili është akuzuar prej kohësh për mbajtjen e lidhjeve miqësore me Kremlinin.

Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës pak më shumë se tre vjet më parë, duke përfshirë një sulm ndaj Kievit në ditët e para të konfliktit.

Megjithatë, forcat ruse përfundimisht dështuan në përpjekjen e tyre për të marrë kryeqytetin ukrainas.