SERIE A PEZULLON NDESHJET! Edhe futbolli në zi: Ati i shenjtë, edhe topi i leckës bën mrekulli

Federate e futbollit në Itali ka deklaruar pezullimin e të gjitha ndeshjeve. Në nderim për atin e shenjtë është bërë e ditur se përballjet do zhvendosen në një tjetër datë. Në deklaratë sillet në vëmendje edhe deklarata e Papa Franceskut se edhe me një top lecke bëhet mrekulli

Italia e futbollit është ndalur sot në heshtje dhe respekt, pas lajmit të trishtuar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Lega Serie A ishte e para që komunikoi pezullimin e menjëhershëm të të gjitha ndeshjeve të parashikuara për këtë të hënë duke i shtyrë takimet për një datë të pacaktuar.

Torino–Udinese, Cagliari–Fiorentina, Genoa–Lazio dhe Parma–Juventus tashmë do të zhvendosen në një tjetër datë.

Në të njëjtën linjë ka vepruar edhe Serie B, e cila ka pezulluar të gjithë javën e 34-të të kampionatit të saj. Vendimi është marrë pas udhëzimit nga Federata Italiane e Futbollit.

FIGC ka ndërprerë gjithashtu të gjitha garat e ditës në të gjitha nivelet, nga Serie A deri te kampionatet amatore. “Futbolli dhe FIGC vajtojnë ndarjen nga jeta të Papa Françeskut”, shkruhet në njoftim. Në këtë ditë Kujtohet fjalia e famshme e Atit të Shenjtë gjatë një takimi me kombëtaren italiane në vitin 2019: “Edhe me një top me lecka bëhen mrekulli” – një shprehje që përfaqësonte dashurinë e tij për lojën.

Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, shprehu dhimbjen dhe respektin për figurën e Papa Françeskut: “Ai ishte një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë njerëzore dhe shpirtërore. Ajo që përçoi përmes përkujdesjes ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe të përndjekurve do të mbetet përjetë një udhërrëfyes për brezat që vijnë”.