Ministri italian i Sportit, Abodi: Nisja në Shqipëri e “Xhiros së Italisë”, bashkon akoma më shumë dy vendet tona
Ministri italian i Sportit dhe Rinisë, Andrea Abodi deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, nisja e madhe e “Xhiros së Italisë” në Shqipëri përfaqëson ndoshta rastin e parë të madh të një bashkëpunimi të qartë dhe të dukshëm që bashkon dy vendet.
Në një intervistë për ATSH-në gjatë një seminari të mbajtur në Taranto organizuar nga AMAN (Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve) dhe agjencia italiane e lajmeve ANSA, në bashkëpunim me Komitetin Organizativ të Lojërave të 20-ta Mesdhetare Taranto 2026, ministri Abodi foli për marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e sportit.
“Italia dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të jashtëzakonshme, shumë të ngushtë dhe ndonjëherë e lënë vetëm tek kronika e disa aspekteve, por është shumë më e pasur në përbërje”, tha ai për ATSH-në.
Futbolli, theksoi Abodi, “është një nga eksperiencat, jo vetëm futbolli i luajtur, por edhe zhvillimi i infrastrukturës. Një dëshmi e mirë është stadiumi në qytetin e Tiranës që është ndërtuar nga një arkitekt italian”.
“Është një marrëdhënie industriale që po konsolidohet, ku aspektin sportiv duam ta pasurojmë me përmbajtje. Le të themi që një fillim i mirë është nisja e madhe e “Xhiros së Italisë”, që përfaqëson ndoshta rastin e parë të madh të një bashkëpunimi të qartë dhe të dukshëm që bashkon vendet tona”, nënvizoi Abodi.
Ai theksoi se, “edhe pse Adriatiku na ndan, ne kemi një miqësi që është e përcaktuar edhe nga kapaciteti i Italisë për të pritur shumë shqiptarë që erdhën këtu dhe gjetën mundësira për jetën, ashtu si shumë nga ndërmarrjet tona që po punojnë prej kohësh në vendin tuaj”.
“Unë mendoj se marrëdhëniet mund të përmirësohen falë edhe këtyre aktiviteteve të mëdha, por mbi të gjitha edhe nga shtytja e kryeministres Meloni dhe kryeministrit tuaj, e cila në shumë raste vërtetoi se çfarë lidhjeje ekziston mes dy vendeve tona”, u shpreh ministri italian i Sportit dhe Rinisë, Andrea Abodi. /ATSH-Gjergji Mima

