Gazifikimi i Korçës, Balluku: Investim strategjik, synon ndërtimin e rrjetit modern të shpërndarjes
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi sot projektin e gazifikimit të Korçës, një investim strategjik që synon ndërtimin e rrjetit modern të shpërndarjes së gazit.
Në fjalën e saj gjatë prezantimit të projektit të gazifikimit në qytetin e Korçës, ku është i pranishëm kryeministrti Rama, ministri i Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, drejtues të pushtetit vendor, Balluku tha se ky investim strategjik po realizohet nën kujdesin e veçantë të një miku të madh, presidentit Aljev, si edhe me garancinë e partnerit prestigjioz SOCAR.
“Pavarësisht se Shqipëria është një treg i vogël duke pasur parasysh të gjithë dëshirën që shqiptarët kanë për të provuar produkte dhe tregje të reja ju siguroj që ky besim po i jepni ju sot Shqipërisë duke nisur një projekt, i cili me të vërtetë kërkon guxim nga ana e SOCAR për tu futur në një treg totalisht të ri që nuk ka eksperiencë mbi përdorimin e gazit do t’ju kthehet në shumëfish, pasi me të vërtetë ne besojmë që zhvillimi që vendi ka marrë nga ana ekonomike sidomos në sektorët kyç dhe kryesore si turizmi e bujqësia do ta bëjë përdorimin e gazit në Shqipëri një nga alternativë më të volitshme si për qytetarët, abonentët familjarë ashtu edhe për bizneset”, tha Balluku.
Duke u ndalur tek arsyet përse u zgjodh Korça për këtë projekt, Balluku theksoi se “kemi bërë një diskutim të gjerë dhe të gjatë me kolegët e qeverisë së Azerbajxhanit mes “ALBGAZ” dhe “SOCAR”. Tre pozicionet më të volitshme për të nisur një gur prove ashtu siç është ky projekt, ishte Korça e cila ndodhet pikës së daljes së Ersekës , Elbasani dhe Fieri”.
“Përsa i përket numrit të përdoruesve të tregut sigurisht Fieri e kishte më të lartë si numër, por nga të gjitha studimet dhe sjellja e konsumatorëve ne vendosëm që të ishte Korça. Për dy arsye të rëndësishme, e para në Korçe kemi konsumatorë model, i cili me vërtet ka treguar që të gjitha pilotimet që janë bërë në qytet, bashkinë e Korçës dhe në qarkun e Korçës kanë qenë të suksesshme si në shërbimet e ujësjellës- kanalizimeve dhe të energjisë”, shtoi Balluku.
Sipas saj, konsumatori korçar është model pasi ka paguar gjithmonë faturat e prodhuara dhe nga ana tjetër nuk ka pasur frikë që të testojë produktet e reja.
“Në këtë bashki ne kemi një nga nuklat më të rëndësishme turistike të vendit dhe flitet për një turizëm 4 sezone, që të katër stinët e vitit Korça është një model i turizmit, i cili ka shërbyer edhe si një udhërrëfyes për pjesët e tjera, rajonet e tjera të vendit për tu kthyer në një nga shembujt më të mirë. Komponenti i tretë pse është zgjedhur Korça është për shkak se pas Myzeqesë është qarku me bujqësinë më të zhvilluar dhe me volumin më të madh të prodhimit”, nënvizoi Balluku.
Ministrja Balluku vuri në dukje se ky “projekt të marrë udhë nga Korça ky projekt ta kthejë në gurin e provës duke sjellë një kombinim të jashtëzakonshëm të eksperiencës së Azerbajxhanit, e cila e ka ngritur të gjithë sektorin energjetik të suksesshëm mbi atë çfarë ka Zoti i ka falur hidrokarburet”.
“Por duke pasur një menaxhim shumë të mirë dhe duke e vendosur në listën e elitës së energjisë botërore dhe nga ana tjetër eksperiencën shqiptare që ka të bëjë me prodhimin e energjisë së rinovueshme që na ka kthyer në një nga shembujt më të mirë të Europës sa i përket edhe konvergjencës me axhendën e gjelbër”.
Balluku bëri të ditur se “dëshirojmë ta shtrijmë këtë projekt edhe në qytete të tjera të Shqipërisë deri sa të arrijmë gazifikimin maksimal deri në 100% të territorit, por edhe në rajon, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë tre shtete të tjera të cilat mund të përfitojnë nga ky projekt i gazifikimit në të ardhmen”.


