FOTO+VIDEO/ Rama: Lagjja historike e Pogradecit do të kthehet shumë shpejt në një pol të ri turistik

Në qytetin e Pogradecit, një prej destinacioneve turistike të preferuara nga vizitorë vendas e të huaj në çdo stinë, po vijojnë me ritme të larta punimet për rilindjen e lagjes historike.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli vizituan nga afër punimet që po kryhen në këtë lagje.

Kryeministri Rama tha se “në kantierin e lagjes historike po punohet për rilindjen e saj që do ta kthejë shumë shpejt këtë zonë në një pol të ri turistik: rrugët me kalldrëm, fasadat e restauruara të afro 100 shtëpive me ballkonet, dritaret, grilat e drurit dhe elementët e tyre karakteristikë”.

FOTO+VIDEO/ Rama: Lagjja historike e Pogradecit do të kthehet shumë

Në këtë lagje po rehabilitohen banesat që janë në rrugën kryesore si dhe rrugicat lidhëse të saj.

Kjo lagje është hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.

Projekti për rehabilitimin e lagjes historike, përfshin trajtimin e të gjithë elementëve të kësaj zone duke filluar nga infrastruktura nëntokësore, kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha, ndriçimi, shtrimi me pllaka guri dhe rehabilitimi i rreth 100 objekteve.