Tarifat e Trump/ Indonezia rreshtohet krah SHBA, rrit importet nga Amerika, ul porositë nga vendet e tjera
Indonezia do të rrisë importet e ushqimeve dhe mallrave amerikane dhe do të reduktojë porositë nga vendet ku kombi i Azisë Juglindore aktualisht blen produktet, u tha gazetarëve në Uashington, shefi i Ministrisë së Ekonomisë, Airlangga Hartarto.
Airlangga është në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një delegacioni zyrtarësh të lartë për të takuar homologët amerikanë për bisedime mbi një tarifë 32% për eksportet indoneziane, e cila është ndërprerë për 90 ditë.
Indonezia ka propozuar rritjen e importeve të saj nga SHBA deri në 19 miliardë dollarë, duke përfshirë rreth 10 miliardë dollarë importe energjie, për të eliminuar tepricën tregtare me Uashingtonin dhe për të shmangur tarifat e kërcënuara nga administrata e Presidentit Donald Trump.
"Indonezia planifikon gjithashtu të blejë produkte bujqësore, duke përfshirë grurin, sojën dhe miellin e sojës, si dhe të rrisë blerjet e mallrave kapitale nga SHBA," tha Airlangga në konferencën për shtyp të transmetuar në platformën e video-konferencës, Zoom.
"Ne do të mbështesim vendimin e qeverisë, për sa kohë që çmimet e tregut dhe konkurrueshmëria janë në një linjë," tha për Reuters Ratna Sari Lopis, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Indoneziane të Prodhuesve të Miellit të Grurit.
Sipas të dhënave nga shoqata, Australia siguroi 40% të importeve të grurit të Indonezisë në vitin 2024, me 26% nga Ukraina dhe 16% nga Kanadaja. Importet e SHBA-së qëndruan pak më poshtë se 4%.
Në të kundërt, Indonezia importoi gati 89% të sojës së saj nga SHBA më 2024.
"Ne gjithashtu do të lehtësojmë kompanitë amerikane që kanë operuar në Indonezi, në lidhje me lejet dhe stimujt," shtoi ajo.
Indonezia do të punojë gjithashtu për mineralet kritike dhe do të thjeshtojë procedurat, në lidhje me importin e produkteve amerikane të hortikulturës.
Pas një takimi me Përfaqësuesin e Tregtisë së SHBA-së dhe Sekretarin e Tregtisë, të dy vendet ranë dakord të përfundonin negociatat brenda 60 ditëve të ardhshme.
