Tentoi të merrte peng avionin, amerikani vr*tet nga pasagjeri
Ngjarja tronditëse ndodhi teksa në bord ndodheshin 14 pasagjerë, dy prej të cilëve mbetën të plagosur gjatë incidentit.
Personi i identifikuar si Akinyela Sawa Taylor, sipas autoriteteve, kërcënoi me thikë pasagjerët dhe plagosi dy prej tyre – njëri prej të cilëve u godit rëndë në shpinë.
Më pas, Taylor urdhëroi pilotin që të largohej nga vendi, por u neutralizua nga një pasagjer tjetër që ndodhej në avion, i cili hapi zjarr me një armë zjarri, duke e qëlluar në gjoks.
Avioni, që kishte nisur fluturimin mbi bregdetin pranë qytetit të Belize dhe po përballej me mungesë karburanti, u detyrua të bëjë një ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar Philip Goldson.
Taylor u shpall i vdekur pas mbërritjes në spital, ndërsa njëri nga të plagosurit është në gjendje kritike.
Policia ka hapur një hetim të gjerë për zbardhjen e plotë të motiveve të këtij akti të dhunshëm. Komisioneri i policisë së Belize-s, Chester Williams, tha për mediat se Taylor, i cili besohet të ketë qenë një veteran lufte, kishte pasur më parë probleme me autoritetet dhe i ishte refuzuar hyrja në vend.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë në transportin ajror dhe ka rikthyer vëmendjen te çështjet e shëndetit mendor dhe kontrollit të pasagjerëve në fluturime të vogla rajonale.

