Presidenti i Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”: Mirëpresim prani të madhe të shqiptarëve
Massimo Ferrarese, komisioneri qeveritar dhe President i Komitetit Organizativ të Lojërave XX Mesdhetare Taranto 2026 u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” janë një mundësi e mirë për të përmirësuar akoma edhe më shumë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, të cilat i cilësoi si vëllazërore.
“Shqipëria dhe Italia kanë një marrëdhënie do të thoja të jashtëzakonshme dhe ne jemi të lumtur të gjithë asaj që po bën Shqipëria për ne dhe shpresoj që të jetë e lumtur dhe Shqipëria për atë që po bën vendi ynë”, tha ai.
Ferrarese theksoi se, “marrëdhënia është vërtetë vëllazërore mes dy popujve, kështu që shpresoj që të ketë në gusht të 2026-ës, një prani të madhe të qytetarëve shqiptarë që vijnë të shohin Lojërat Mesdhetare dhe me atë rast të mund të shohin territorin tonë, ta vizitojnë. Së bashku me Shqipërinë janë territore, sidomos deti i jugut, të mrekullueshëm, të bukur për t’u vizituar”.
“Kështu që do të jetë një moment edhe ai për të përmirësuar edhe më shumë dhe për të intensifikuar raportin që ekziston aktualisht mes Shqipërisë dhe Italisë”, shtoi ai.
Duke folur për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2026, Ferrarese u shpreh se, “tashmë kanë nisur kantieret dhe janë në ndërtim”.
“Duam të lëmë një trashëgimi me shpresën që të mos ketë në të nesërmen Katedrale në shkretëtirë. Po ndërtojmë stadiumin për 60 milionë euro, pishinat olimpike për 41 milionë euro, qendrën shumëfunksionale për 20 milionë euro, fusha tenisi. Janë gjithsej 41 impiante në 21 komuna në 4 provinca të Puglias”, tha ai.
Duke folur për Lojërat Mesdhetare në 2030, të cilat do të organizohen në Prishtinë, teksa disa evente do të zhvillohen në Shqipëri, Ferrarese sugjeroi që të nisë puna sa më parë.
“Sugjerimi që mund të jap është ai që të filloni që tani dhe të përfshini të gjitha institucionet në Lojërat Mesdhetare, që të mund të evitojnë ndarjet, që të gjithë të mund të ecin në të njëjtin drejtim”.
“Vetëm duke bërë këtë mund të filloni që tani organizimin. Mund të filloni që tani ndërtimin e impianteve”, theksoi ai.
Përndryshe, shtoi Ferrarese, “me ndarjet mund të rrezikoni të vini shumë vonë dhe të veproni kështu siҫ po bëjmë ne tani me emergjencë, duke punuar ditë e natë, për të përshpejtuar kohët”.
“Mund të imagjinoni që ne po realizojmë 300 milionë euro vepra dhe duhet t’i bëjmë tani në 12 muaj. Do të jetë e vështirë, e rrezikshme, por ne e kemi pranuar këtë sfidë dhe do ta bëjmë”, tha ai.
“Kështu që duhet bashkëpunim i madh me të gjithë. Nuk ka pjesë politike që bëjnë diҫka dhe të tjerë që nuk bëjnë asgjë. Të gjithë duhet të ecin në të njëjtin drejtim dhe të jenë të përfshirë dhe të evitojnë ndarjet”, theksoi Ferrarese.


