Ministri turk: Më shumë se 175,000 refugjatë sirianë në Turqi janë riatdhesuar në Siri

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya është shprehur ditën e sotme se më shumë se 175,000 refugjatë sirianë që qëndronin në Turqi janë kthyer në vendin e tyre që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad në fillim të dhjetorit.

Sipas ministrit turk gati 2.8 milionë sirianë mbeten refugjatë në tokën turke duke theksuar se kthimet e regjistruara midis 9 dhjetorit dhe 13 prillit ishin të gjitha vullnetare.

Qeveria turke, e cila mbështet autoritetet e reja në Damask, shpreson të përshpejtojë riatdhesimin e refugjatëve sirianë, prania e të cilëve ka shkaktuar tensione të forta në Turqi vitet e fundit. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR në total, rreth 400,000 sirianë janë kthyer në shtëpitë e tyre nga vendet fqinje që nga fillimi i dhjetorit. Gjatë së njëjtës periudhë, më shumë se një milion sirianë të zhvendosur brenda vendit u kthyen gjithashtu në shtëpitë e tyre.