GAZA, MES LUFTËS E SHPRESËS! Hamas refuzon kushtet e Izraelit, Netanjahu në “presion”, palestinezët mes “katastrofës”
Një tjetër përpjekje për armëpushim në Rripin e Gazës ka dështuar.
Hamas ka refuzuar një propozim të Izraelit për një ndërprerje gjashtë javore të luftimeve, që parashikonte shkëmbim të pengjeve me të arrestuar dhe negociata për paqe afatgjatë.
Por lëvizja palestineze e ka cilësuar të papranueshëm kërkesën për çarmatim pa ndonjë angazhim për të ndalur luftën apo tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.
Ndërkohë, ofensiva izraelite vazhdon me intensitet. Së fundmi ushtria izraelite konfirmoi se ka goditur pozicione të Hamasit në Khan Younis, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Në sulm është qëlluar edhe spitali i fushës ku mbeti i vrarë një roje sigurie dhe u plagosën nëntë persona.
Kombet e Bashkuara thonë se situata humanitare në Gaza është "më e keqja në 18 muajt e fundit".
Mbi 700,000 persona po jetojnë në kushte urie, ndërsa furnizimet me ndihma janë ndërprerë prej gjashtë javësh.
Spitalet janë jashtë funksionit, siç është edhe rasti me Al-Ahli, pas një sulmi të ndodhur fundjavën e kaluar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka cilësuar gjendjen si alarmante dhe ka paralajmëruar se bllokimi i ndihmave mund të shkelë ligjin humanitar ndërkombëtar.
Ndërkohë mediat në Izrael raportojnë se presioni ndaj qeverisë Netanjahu po rritet. Publiku kërkon kthimin e 59 pengjeve që besohet se ndodhen ende gjallë në Gaza.
Shumica e izraelitëve përkrahin një marrëveshje armëpushimi për të siguruar lirimin e tyre, përkundër qëndrimit të qeverisë për të vazhduar luftën.
Përpjekjet diplomatike vazhdojnë, ndërsa Egjipti ka paraqitur një propozim të modifikuar, i cili tani po shqyrtohet nga Hamas.
Me mbi 51,000 të vrarë dhe miliona të zhvendosur, Gaza mbetet plagë e hapur në zemër të Lindjes së Mesme, ndërsa bota ende kërkon një zgjidhje për një konflikt që duket pa fund.


