Ish-presidenti Humala dhe gruaja e tij dënohen me 15 vite burg secili
Goditje e rëndë për elitën politike të Perusë. Ish-presidenti Ollanta Humala dhe gruaja e tij Nadine Heredia janë dënuar me nga 15 vjet burg për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore nga gjiganti brazilian i ndërtimit Odebrecht, tashmë i njohur si Novonor.
Sipas vendimit tronditës të gjykatës, çifti politik mori miliona dollarë në mënyrë të paligjshme për të siguruar fitoren në zgjedhjet e vitit 2011, në një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit që ka tronditur ndonjëherë Amerikën Latine.
Humala, ish-oficer i ushtrisë dhe president nga 2011 deri në 2016, do të vuajë dënimin në një burg special të ndërtuar posaçërisht për liderët e korruptuar të Perusë. Në të njëjtën bazë ndodhen edhe ish-presidenti Alejandro Toledo, i ekstraduar nga SHBA, dhe Pedro Castillo, i rrëzuar nga pushteti pas një tentative për grusht shteti.
Alberto Fujimori, diktatori i viteve ’90, qëndroi në të njëjtin burg deri në lirimin e tij vitin e kaluar.
Skandali Odebrecht ka shkaktuar një valë të paprecedentë arrestimesh, hetimesh dhe dramash personale në nivelin më të lartë të pushtetit në Peru. Ish-presidenti Alan Garcia, i përfshirë gjithashtu në hetim, u vetëvra në prill 2019 kur policia shkoi ta arrestonte.
Ky vendim i fundit për Humala dhe Heredian ngre pikëpyetje të forta mbi nivelin e përhapjes së korrupsionit dhe lidhjeve mes pushtetit dhe kompanive të mëdha. Në Peru, qytetarët janë gjithnjë e më të dëshpëruar ndaj një klase politike që duket se ka pasur një çmim "të majmë".
