Macut: I hapur për dialog dhe zgjidhjen e krizës studentore që ka paralizuar Serbinë
Kryeministri serb, Djuro Macut ka kërkuar nisjen sa më parë të një dialogu me lëvizjen protestuese studentore dhe me forcat që i mbështesin, për t’i dhënë fund një situate të krizës sociale që vazhdon prej muajsh.
Sipas autoriteteve kjo krizë po bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe e paqëndrueshme për sistemin e arsimit të përgjithshëm, implikimet ekonomike dhe të rritjes dhe për jetën e përditshme në vendin ballkanik, të kushtëzuar fort nga rrjedha e demonstratave, mitingjeve dhe bllokadave të të gjitha llojeve.
Duke folur sot në parlamentin serb, ku mbajti një fjalim programor për votëbesimin ndaj ekzekutivit të tij të ri, Macut tha se ”Serbia është e lodhur nga përçarjet dhe blloqet” dhe se ”ka nevojë për unitet dhe harmoni përmes dialogut, tolerancës dhe punës”.
“Askush nuk ka dhe nuk mund të ketë më shumë të drejta se të tjerët dhe kjo është një vlerë që nuk mund të kontestohet. Institucionet duhet të funksionojnë me kapacitetin e tyre të plotë dhe kjo do të jetë detyra jonë e parë”, tha Macut, 61 vjeç, një profesor universiteti dhe specialist i njohur i endokrinologjisë.
”Situata aktuale përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për mbijetesën e universiteteve tona dhe kjo situatë duhet të marrë fund. Ky është qëndrimi im dhe kërkoj mbështetjen tuaj. Nëse fitoj besimin tuaj, deklaroj se dera ime do të jetë e hapur 24 orë në shtatë ditë në javë, për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura për të mirën e vendit dhe popullit tonë. Serbia nuk mundet më, ky problem duhet zgjidhur urgjentisht”, shton Macut.
Në fjalën e tij, kryeministri i mandatuar preku të gjitha pikat e programit të qeverisë së tij, nga ekonomia te mbrojtja, nga shëndetësia te zhvillimi i infrastrukturës, nga drejtësia dhe mbrojtja e mjedisit deri tek mbështetja për teknologjitë e reja dhe lindshmëria.

