“Joz kryefjala”, sociologia Simo: Rasti tregon që fjala s’është arma kryesore që përdor një person, por ... instinkti që buron që në kohën e shpellave

Opinioni publik u trondit nga pamjet ku gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të mbrëmjes së të shtunës në formatin “Big Brother Albania”, ndodhi një akt i shëmtuar dhune, ku një prej konkurrentëve të eliminuar, Jozefin Marku, sulmoi fizikisht një tjetër pjesëmarrës, Besart Kelmendin në momentin e daljes nga shtëpia.

Ky veprim u transmetua në kohë reale dhe u ndoq nga një publik i gjerë kombëtar çka u kthye në “kryefjalë” të diskutimeve në këto 48 orët e fundit.

Për të kuptuar më shumë mbi situatën juridike dhe penale të krijuar nga Jozi, e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte sociologia Marsi Simo.

“Njeriu që ku lind lind me instinktin e mbrojtjes, ku ose frenon, reagon apo ikën nga vendi i dhunës.

Këto instinkte sigurisht që janë aty te njeriu, por duhet të dimë të reagojmë në mënyrë të shëndetshme dhe në formë të pranueshme, por jo të gjitha sjelljet janë të pranueshme, ku ajo e goditjes së të tjerëve është njëra prej tyre.

Rasti në fjalë i tregon të gjitha këto që thamë. Pra nuk është fjala arma kryesore që përdor një person, por është dhuna fizike. Pra ende instinktet e tij nuk janë brumësuar dhe menaxhuar.

Nga ana tjetër kemi dhe elemente kulturore, ku edhe pse gjendet një ambient ku nuk i rrezikohet jeta i cenohet dinjiteti dhe këto janë kryesisht forma të reagimeve tek meshkujt.

Dhe ky instinkt që buron që prej kohëve të shpellave vjen i gjithë në atë formë dhune”, u shpreh ndër të tjera Marsi Simo.

Ndërsa avokati Gylsen Zhllima u shpreh se kur kemi të bëjmë me dhunë fizike është e dënueshme në aspektin moral dhe qytetar. Sepse, vijoi ai, aty ishte një lojë dhe duhet të mësojmë se lojën nuk mund ta bësh si gjë private dhe të jetë individuale për të cenuar integritetin fizik të tjetrit.

“Në aspektin ligjor, për shkak se kjo dhunë nuk ishte në kuadrin që ligjvënësi e ka normuar që të ketë 9 ditë plaga të rënda, atëherë i bie që kjo është një dëmtim i lehtë me dashje ndaj një personi, ku Kodi Penal dënohet me gjobë.

Kjo do të thotë që personi i dëmtuar në çdo moment mund të bëjë një kallëzim penal ndaj autorit brenda një viti dhe të ndiqet penalisht personi.

Në rast të kundërt mund të lihet edhe e heshtur. Pra, personi konkret Gjesti, mund t’i drejtohet personalisht Gjykatës Penale dhe të kërkojë ndjekje penale të autorit.

Vajtja e policisë në ambientet e televizionit nuk ishte kundravajtje, sepse policia nuk ka nga ta dijë që diku ka një konflikt fizik dhe si do ndalojë apo vazhdojë konflikti.

Por kjo nuk ka rëndësi, mesazhi është ky që një njeri, i cili konkurronte në një spektakël mediatik u eliminua herën e parë jo për lojën por për fjalët e përdorura nga ai dhe nuk pati durimit të kërkonte falje publike të sinqertë, ai çfarë bëri?! Bëri një masakër, goditi një person që vjen nga Kosova. Pra ai nuk e kishte për lojën, por inat personal që u eliminua.

Pra, Gjesti e rifuti në lojë për të thënë në Shqipëri dhe Kosovë që unë e fal atë, dhe televizioni e rifuti në lojë Jozin që ai të kishte dhe një shans të dytë për të bërë pastrimin e figurës së tij.

Por edhe në psikanalizën e krimit një person që të godet në këtë mënyrë, do të thotë se e ka bërë edhe më përpara këtë. Pra, Jozi tregon që atë që nuk e zgjidh dot me fjalë një situatë në një lojë arrin e godet, dhe kjo do të thotë që dyshohet se ai mund ta bëjë edhe në të ardhmen, pasi fillimisht dëmtoi edhe veten e tij.

Edhe fjalia që ka thënë ndaj Kosovës më parë tregon se ai ka një mllef të fshehur të brendshëm”, u shpreh ndër të tjera avokati Gylsen Zhllima.

NDIQNI ANALIZAT E PLOTA TË BËRA NDAJ ASAJ QË NDODHI NË “BBV” NGA EKSPERTI LIGJOR GYLSEN ZHLLIMA DHE SOCIOLOGIA MARSI SIMO