Shpulla si “kryefjalë”, avokati: Jozi është përsëritës në aktet e tij, ai u eliminua herën e parë se goditi kombin shqiptar

Opinioni publik u trondit nga pamjet ku gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të mbrëmjes së të shtunës në formatin “Big Brother Albania”, ndodhi një akt i shëmtuar dhune, ku një prej konkurrentëve të eliminuar, Jozefin Marku, sulmoi fizikisht një tjetër pjesëmarrës, Besart Kelmendin në momentin e daljes nga shtëpia.

Ky veprim u transmetua në kohë reale dhe u ndoq nga një publik i gjerë kombëtar çka u kthye në “kryefjalë” të diskutimeve në këto 48 orët e fundit.

Për të kuptuar më shumë mbi situatën juridike dhe penale të krijuar nga Jozi, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte avokati Gylsen Zhllima.

“Kur kemi të bëjmë me dhunë fizike është e dënueshme në aspektin moral dhe qytetar. Sepse aty ishte një lojë dhe duhet të mësojmë se lojën nuk mund ta bësh si gjë private dhe të jetë individuale për të cenuar integritetin fizik të tjetrit.

Në aspektin ligjor, për shkak se kjo dhunë nuk ishte në kuadrin që ligjvënësi e ka normuar që të ketë 9 ditë plaga të rënda, atëherë i bie që kjo është një dëmtim i lehtë me dashje ndaj një personi, ku Kodi Penal dënohet me gjobë.

Kjo do të thotë që personi i dëmtuar në çdo moment mund të bëjë një kallëzim penal ndaj autorit brenda një viti dhe të ndiqet penalisht personi.

Në rast të kundërt mund të lihet edhe e heshtur. Pra, personi konkret Gjesti, mund t’i drejtohet personalisht Gjykatës Penale dhe të kërkojë ndjekje penale të autorit.

Vajtja e policisë në ambientet e televizionit nuk ishte kundravajtje, sepse policia nuk ka nga ta dijë që diku ka një konflikt fizik dhe si do ndalojë apo vazhdojë konflikti.

Por kjo nuk ka rëndësi, mesazhi është ky që një njeri, i cili konkurronte në një spektakël mediatik u eliminua herën e parë jo për lojën por për fjalët e përdorura nga ai dhe nuk pati durimit të kërkonte falje publike të sinqertë, ai çfarë bëri?! Bëri një masakër, goditi një person që vjen nga Kosova. Pra ai nuk e kishte për lojën, por inat personal që u eliminua.

Pra, Gjesti e rifuti në lojë për të thënë në Shqipëri dhe Kosovë që unë e fal atë, dhe televizioni e rifuti në lojë Jozin që ai të kishte dhe një shans të dytë për të bërë pastrimin e figurës së tij.

Por edhe në psikanalizën e krimit një person që të godet në këtë mënyrë, do të thotë se e ka bërë edhe më përpara këtë. Pra, Jozi tregon që atë që nuk e zgjidh dot me fjalë një situatë në një lojë arrin e godet, dhe kjo do të thotë që dyshohet se ai mund ta bëjë edhe në të ardhmen, pasi fillimisht dëmtoi edhe veten e tij.

Edhe fjalia që ka thënë ndaj Kosovës më parë tregon se ai ka një mllef të fshehur të brendshëm”, u shpreh ndër të tjera avokati Gylsen Zhllima.

NDIQNI ANALIZAT E PLOTA TË BËRA NDAJ ASAJ QË NDODHI NË “BBV” NGA EKSPERTI LIGJOR GYLSEN ZHLLIMA DHE SOCIOLOGIA MARSI SIMO