“Projekti Mozart”, artistët e rinj në koncert me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor ka hapur dyert e skenës për artistët e rinj, duke krijuar hapësira për eksperienca të mirëfillta për studentët.
“Projekti Mozart” sjell në skenë jo vetëm talentet e Universitetit të Arteve, por edhe ato të Liceut Artistik “Jordan Misja”, i cili mbrëmjen e kaluar u përfaqësua nga pianisti Erbli Zade.
Të rinjve u është dhënë mundësia të luajnë shoqëruar nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja. Ky projekt nuk është thjesht një koncert, por një mundësi reale për të rinjtë që duan të rriten profesionalisht, duke bashkëpunuar me artistë dhe struktura të nivelit më të lartë artistik.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërinstitucional, pianisti Erbli Zade interpretoi nga W.A. Mozart, Divertimento në Re major K. 136 dhe Piano Concerto Nr. 12 in A major K. 414.
Më herët ishin Hera Marku dhe Odesa Meti, dy studentë të talentuara të pianos në Universitetin e Arteve, të cilat patën privilegjin të performonin së bashku me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së në kuadër të “Projektit Mozart”.

Nën dirigjimin e Gridi Krajës, kjo ishte një tjetër përvojë frymëzuese që mishëron misionin për të mbështetur dhe nxitur talentet e reja përmes bashkëpunimit ndërinstitucional.
I shumtë ishte edhe publiku, i cili i përshëndeti me duartrokitje të zjarrta.
