Muzeu Historik Kombëtar, aktivitete dedikuar xhubletës
Muzeu Historik Kombëtar, herë pas here, zhvillon aktivitete edukuese me të rinj e nxënës shkollash si një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen mes trashëgimisë e së ardhmes.
Aktiviteti i organizuar së fundmi titullohej “E ka kush e ka-Xhubleta” dhe u zhvillua me specialistët e Sektorit të Edukimit të MHK me nxënësit e klasës së VI të shkollës “Ali Demi”.
Fëmijëve iu shpjegua se Xhubleta është një veshje tradicionale femërore shqiptare me origjinë shumë të lashtë, që mban vlera të mëdha kulturore, etnografike dhe historike. Ajo është veçanërisht karakteristike për zonat malore të veriut të Shqipërisë, si Malësia e Madhe, Dukagjini, Tropoja dhe Thethi, por ka pasur përhapje edhe në disa pjesë të Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndër figurat emblematike të grave malësore të veshura me xhubletën karakteristike, që kanë luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve osman, u përmendën Nora dhe Tringa e Kelmendit.
Fëmijët u informuan edhe rreth strukturës të veçantë në formë këmbane, mënyrës së punimit të saj me gajtanë e penj të fortë. Për të duhen një numër i madh copash edhe rripash për t’i dhënë formë kompakte. Ajo shkon deri në 14 kg e gratë malësore e përkufizojnë si veshja që “rri në këmbë”.
Ndonëse tani ngjyra mbizotëruese është ngjyra e zezë, deri në shekullin XIII ka qenë me shumë ngjyra, të cilat kane qenë simbolike dhe shpesh pasqyronin moshën, statusin martesor apo përkatësinë krahinore të gruas që e mbante.
Për pastrimin përdorej nje teknikë e veçantë: hidhej mbi borë dhe pastrohej duke e goditur që t’i binin papastërtitë.
Në vitin 2022, xhubleta u shpall nga UNESCO si “Pasuri Botërore e Trashëgimisë Kulturore Jo-Materiale në Nevojë për Mbrojtje të Menjëhershme”.

