Ja përse presidenti Trump vendosi tarifën e mallrave edhe ndaj 'ishujve të pinguinëve’

Sekretari amerikan i Tregtisë mbrojti vendimin e SHBA-ve për të vendosur tarifa ndaj Ishujve Heard dhe McDonald, që janë të pabanuar dhe ndodhen në jug të Oqeanit Indian, të banuar vetëm nga pinguinë dhe foka.

Howard Lutnick, gjatë një intervistë për CBS, shpjegoi se tarifat kishin si qëllim të mbyllnin hapësirat ligjore në sistemin tregtar global dhe të parandalonin përdorimin e këtyre ishujve si pika transiti për vendet që tentojnë të shmangin tarifat amerikane përmes asaj që ai e quajti "arbitrazh tregtar."

Vendimi përfshiu dhe territore të tjera të largëta, si Territori Britanik i Oqeanit Indian, i cili është i banuar vetëm nga personeli ushtarak.

Ky hap ka habitur autoritetet australiane, të cilët u shprehën të befasuar për përfshirjen e Ishujve Heard dhe McDonald, të cilët janë rreth 4000 km larg Australisë.

Ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, e quajti këtë vendim “qartazi një gabim” dhe nënvizoi se procesi ishte nxituar.

Ndërkohë, Lutnick e mbrojti këtë vendim, duke theksuar se çdo përjashtim nga lista mund të përfitonte nga vendet për të anashkaluar tarifat.

Ai shtoi se Presidenti i SHBA-ve ishte i lodhur nga ky problem dhe se do të ndërmerrte veprime për të rregulluar situatën.

Vendosja e tarifave ka ndodhur në një periudhë të pasigurt për tregjet financiare amerikane, pasi indekset kryesore pësojnë një rënie të ndjeshme, më e madhja që nga viti 2020.

Në vitin 2022, SHBA ka importuar 1.4 milionë dollarë mallra – kryesisht makineri dhe produkte elektrike – nga Ishujt Heard dhe McDonald, sipas të dhënave nga Banka Botërore.