Macron kërkon masa të ashpra pas sulmeve të fundit ruse
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për “masa të ashpra” në rast se Rusia vazhdon të bllokojë përpjekjet për të negociuar marrëveshjen e paqes për luftën në Ukrainë, pasi sulmet vdekjeprurëse ruse ndaj fqinjit më të vogël vazhdojnë pa pushim.
“Sulmet e Rusisë duhet të marrin fund”, shkroi dje në mbrëmje në platformën X presidenti francez, Macron.
“Nevojitet një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe masa të ashpra nëse Rusia vazhdon të përpiqet të blejë kohë dhe të refuzojë paqen”, shtoi presidenti francez.
Deklarata e Macron erdhi pasi një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën dje nga një sulm rus në Kiev.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Rusia lëshoi më shumë se 1,460 bomba rrëshqitëse, rreth 670 dronë dhe më shumë se 30 raketa në vendin fqinj – vetëm javën e kaluar.
Gjithsej 18 persona, përfshirë nëntë fëmijë, u vranë të premten gjatë një sulmi rus me raketa në Kryvyi Rih.
Ndryshe nga Ukraina, Rusia vazhdon të refuzojë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, duke këmbëngulur që ndihma ushtarake për Kievin të ndërpritet, mes kërkesave të tjera.

