Irani kundërshton propozimin e Trump për negociata të drejtpërdrejta

Irani kundërshtoi sot çdo dialog të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “nuk do të kishte kuptim”, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po sugjeron bisedime pa ndërmjetës dhe kërcënon të bombardojë vendin në rast të dështimit të diplomacisë.

Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë dyshuar për dekada të tëra se Teherani dëshiron të marrë armë bërthamore.

Irani i hedh poshtë këto pretendime dhe pohon se aktivitetet e tij bërthamore ekzistojnë vetëm për qëllime civile, veçanërisht për energjinë.

Donald Trump u dërgoi një letër udhëheqësve iranianë muajin e kaluar duke bërë thirrje për negociata mbi programin e tyre bërthamor.

Por, presidenti amerikan kërcënoi gjithashtu se do të bombardonte Iranin në rast të dështimit të diplomacisë dhe mori sanksione shtesë kundër sektorit iranian të naftës.

“Negociatat e drejtpërdrejta me një palë që kërcënon vazhdimisht të përdorë forcën (…) dhe zyrtarë të ndryshëm të së cilës shprehin qëndrime kontradiktore nuk do të kishin kuptim”, deklaroi kreu i diplomacisë iraniane, Abbas Araghchi.

“Por, ne mbetemi të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe jemi të gatshëm të provojmë rrugën e negociatave indirekte”, shtoi ai.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara, aleatë të ngushtë gjatë monarkisë së Pahlavit, nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga viti 1980, pas marrjes peng të diplomatëve amerikanë në ambasadën e tyre në Teheran, në prag të Revolucionit Islamik.