PENGJE TË POLITIKËS! AP dhe Komisioneri për Diskriminimi, me mandate të mbaruara! Mandati i Elsa Toskës në GJK. Kuvendi pret KED-në
Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vijojnë të mos zgjidhen, pavarësisht përfundimit të mandateve prej vitesh. Ndërkohë, edhe një vend në Gjykatën Kushtetuese pret ende votën e Kuvendit, teksa afron mbyllja e kësaj legjislature
Në marsin e vitit 2022, Avokates së Popullit, Erinda Ballanca i mbaroi mandati në krye të këtij institucioni, ndërsa janë bërë tanimë 3 vite parlamenti ka dështuar herë pas herë për të zgjedhur avokatin e ri!
Debati ka mbetur peng herë i pazareve politike, herë i mosdakordësive të mazhorancës dhe opozitës, ndërkohë tradita për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, thotë që avokati propozohet nga opozita dhe miratohet me shumicën e votave të parlamentit.
Zgjedhja e Avokatit të Popullit nisi në 2022-in, ndërsa tanimë të drejtën për t’u votuar në seance plenare e kanë 7 kandidatë që kanë mbledhur firmat e jo më pak se 28 deputetëve: Vitore Tusha, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Bledar Dervishaj, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga.
Burime jo zyrtare nga partitë politike pohuan se procesi mund të rikthehet në pikën zero me kandidime të reja, pasi partitë nuk kanë arritur të zgjedhin një emër konsensual.
Një tjetër pozicion që ka mbetur peng i përplasjeve politike është edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku mandati aktual po bën gati dy vite që ka përfunduar dhe Kuvendi ka dështuar të zgjedhë komisionerin e ri mes Robert Gajdes dhe Lefetrie Luzit!
Tentativat në Kuvend për zgjedhjen e Komisionerit kanë qenë të pakta, ndërsa është e paqartë nëse dy institucionet e pavarura ajo e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit Kundër Diskriminimit do të zgjidhen nga ky Kuvend në periudhën maj-korrik, apo do t’i lihet në dorë përbërjes së re që del nga zgjedhjet e 11 majit dhe nis punën në shtator.
Ndërkohë, Parlamenti është në pritje të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të dërguar emrat që kanë kaluar fazën për t’u emëruar në postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’i zënë vendin Elsa Toskës, e cila dha dorëheqjen pak muaj më parë.
Për të zënë një vend në Gjykatën Kushtetuese në garë janë 10 kandidatë, ndërsa i takon po Kuvendit të Shqipërisë që në seancë plenare të zgjedhë një kandidat mes emrave që do të përzgjidhen dhe pikëzohen nga KED-ja!
Lista e kandidatëve për anëtar në Gjykatën Kushtetuese
1. Alfred Balla, ish-kryetar i KLP
2. Eris Hysi, juriste, pedagoge
3. Gentian Zyberi, jurist
4. Irena Nino, Komisionere Publike E vetingut
5. Klodian Rado, jurist
6. Naureda Llagami, ish-kryetare e KLGJ
7. Nertila Sadedini, juriste, pedagoge
8. Nurihan Meta (Seiti), ish-anëtare i KLP
9. Roland Ilia, Komisioner në KPK
10. Sinan Tafaj, jurist, kryetar i Shoqatës së të Verbërve


