Motta reagon pas shkarkimit si trajner i Juventusit: Puna u ndërpre vetëm kur ishim një pikë...

Thiago Motta pranoi se do të ndryshonte shumë gjëra, por theksoi se ai u shkarkua nga Juventusi kur ekipi i tij ishte vetëm një pikë larg asaj që klubi e kishte konsideruar si ‘objektivin prioritar’ në fillim të sezonit.

Në një intervistë të gjatë për gazetën ‘Il Corriere della Sera’, më pak se dy javë pas shkarkimit të tij nga ‘Bianconerët’, Motta u shpreh se kishte pësuar sulme personale që ai i konsideroi të papranueshme, duke vënë në dyshim marrëdhënien e tij me lojtarët.

Megjithatë, ai theksoi se kishte pasur një marrëdhënie ‘të shkëlqyer’ me të gjithë lojtarët dhe këmbënguli se nuk mund të quhej ‘dështim’ koha e tij Juventusin.

"Është e vështirë të bëhet analiza kur jemi kaq afër ngjarjeve. Sigurisht që jam i zhgënjyer sepse nuk shkoi siç shpresuam, sidomos në Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, nuk jam dakord kur flitet për dështim. Puna jonë u ndërpre kur ishim vetëm një pikë larg vendit të katërt në renditje, që ishte objektivi kryesor në fillim të sezonit", u shpreh Motta.

Ai gjithashtu shtoi se kur pranoi rolin, e dinte që do të ishte një projekt afatgjatë me një transformim të thellë të ekipit.

"E dija që do të ishte një projekt trevjeçar, i bazuar në një revolucion të thellë të ekipit dhe rinovimin e tij", tha ai.

Përsa i përket zëvendësimit të tij me Igor Tudor, Motta e pranoi se për një klub si Juventusi, fitorja është prioritet, dhe pas dy humbjeve të rënda kundër Atalantës dhe Fiorentinës, klubi vendosi të ndryshonte rrugë.

"Në një klub të nivelit të Juventusit, fitorja është e domosdoshme. Ata zgjodhën një rrugë tjetër, dhe këtë e pranoj", shtoi ai.

Motta pranoi se kishte padyshim aspekte që do t'i kishte ndryshuar, por theksoi se nuk mund të mohohej puna që ata kishin bërë.

"Ne bëmë shumë gjëra mirë, por gjithmonë ka gjëra që mund t'i ndryshoja. Pas çdo fitoreje, gjithmonë mendoj se ka diçka që mund të përmirësohet", tha ai.

Një nga gjerat që e shqetësoi më shumë ishte akuza për mungesë ndjeshmërie ndaj lojtarëve të tij.

"Unë e pranoj kritikat për zgjedhjet e mia, por askush që ka punuar me mua nuk ka thënë kurrë se ka pasur probleme me mua.

Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë lojtarët e mi, si nga ana profesionale, ashtu edhe personale", tha Motta.