Finalja e Kupës së Mbretit/ Të besuarit e Ancelotit thonë se ja kanë gjetur ‘pikën e dobët’ Barcelonës

Lojtarët e Real Madridit duket se kanë gjetur mënyrën se si të triumfojnë ndaj Barcelonës kur të përballen në finale të Kupës së Mbretit për këtë sezon.

Barcelona u kualifikua në finale të Kupës së Mbretit pasi e mposhti Atletico Madridin me rezultatin e përgjithshëm 5-4 pas dy ndeshjeve. 

Një ‘El Clasico’ në Kupën e Mbretit mungon që nga viti 2014.

Galaktikët besojnë se ata kanë gjetur një mënyrë se si t’i mposhtin ‘blaugranasit’. 

Sipas tyre në rast se ata arrijnë të rezistojnë për 60 minutat e para të ndeshjes, duke qëndruar me rezultat të barabartë, e kanë të sigurt trofeun.

‘Los Blancos’ besojnë se Barcelona vuan në aspektin fizik në fazat e fundit të ndeshjes. 

Në këtë mënyrë, Real Madrid ka besim se ata janë superior ndaj rivalit të tyre në aspektin fizik dhe kjo mund t’i favorizojë.

Kujtojmë se në dy ndeshjet e para të këtij sezoni mes dy ekipeve, Barcelona i ka fituar të dyja me rezultat 4-0 dhe 5-2.