Nuk e fitoi garën për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, Shevchenko: Nuk e duan Ukrainën në strukturat drejtuese

Presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andriy Shevchenko, ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku ka kritikuar ashpër UEFA-n. Sipas ish-‘yllit’ të Milanit, janë dhënë sinjale të qarta që Ukraina nuk është e mirëpritur në strukturat drejtuese të organizatës.

"Para së gjithash, dua të falënderoj edhe një herë federatat rajonale të futbollit dhe komitetin ekzekutiv të UAF për nominimin tim si kandidat për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s," tha ai në lidhje me Kongresin e 49-të të UEFA-s në Beograd.

"Jam gjithashtu mirënjohës për ekipin tim për punën e tyre gjatë këtyre dy muajve të fushatës dhe për federatat kombëtare që më dhanë mundësinë të takohem ose të bisedoj personalisht me ta.

Kam marrë një mbështetje të fortë nga kolegët për përpjekjen time për t'u bërë pjesë e Komitetit Ekzekutiv."

Më tej, Shevchenko shtoi: "Gjatë gjithë jetës dhe karrierës sime, kam ndjekur një parim themelor: atë sportiv. Besoj në konkurrencën e ndershme, të hapur dhe transparente.

Unë vij nga futbolli dhe jam për futbollin. Fatkeqësisht, ditët e fundit kemi marrë sinjale të qarta që – për arsye politike – as Ukraina dhe as unë personalisht nuk ishim të mirëpritur në drejtimin e UEFA-s. Këto shqetësime u konfirmuan nga ngjarjet që ndodhën gjatë Kongresit."

Ish-sulmuesi i Milanit nuk dha detaje të sakta mbi këto sinjale, por shtoi: "Në këtë kontekst, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ato federata kombëtare që votuan për mua dhe për Ukrainën.

Ky votim nuk lidhej vetëm me mua si kandidat, por ishte një votë mbështetjeje për të gjithë vendin tonë.

Nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë. Do të vazhdojmë me reformat tona në futbollin ukrainas dhe do të mbetemi të përkushtuar në një komunikim të fortë ndërkombëtar në interes të kombit tonë dhe të gjithë komunitetit të futbollit."