“Tarifat e Trump, mundësi për Shqipërinë” Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço analizon situatën

Ndërsa tarifat tregtare të ish-presidentit amerikan Donald Trump po krijojnë tronditje në ekonominë globale, Shqipëria mund të përfitojë nga ky moment sfidues.

Ish-presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, thekson se megjithëse eksportet shqiptare drejt SHBA janë ende modeste, vendi ndodhet në një pozitë unike për të shfrytëzuar “tarifën e miqësisë” prej 10%, në krahasim me penalizimet më të larta ndaj vendeve të tjera.

“Ky avantazh konkurrues i papritur mund të shfrytëzohet ku Shqipëria të kthehet në një 'portë tregtare alternative' për eksportuesit evropianë që kërkojnë të zbusin ndikimin e tarifave.  Çdo pengesë tregtare krijon një mundësi të re për ata që dinë ku të shohin.”

Megjithatë, sipas tij, sfidat janë të pranishme: tensionet SHBA-BE mund të ndikojnë fuqishëm në ekonominë shqiptare përmes reduktimit të kërkesës në tregjet evropiane, që thithin 75% të eksporteve shqiptare.

“Tensioni SHBA-BE me tarifat 20% është si një stuhi që po afrohet në horizont. Kjo do dobësojë ekonominë evropiane, duke sjelle uljen e kërkesës për produktet tona, si dhe duke prekur me turizmin dhe remitancat. “

Sektorët më të prekur përfshijnë bimët medicinale, këpucët dhe metalet. Në veçanti, sektori i bimëve medicinale – që eksporton 95% të prodhimit, me 32% vetëm drejt SHBA-së – rrezikon të goditet rëndë nga ulja e porosive dhe presioni për çmime më të ulëta.

Nga ana tjetër, pasiguria globale ka frenuar edhe flukset e investimeve të huaja direkte, veçanërisht nga BE-ja. Jaço thekson se Shqipëria duhet të ndjekë politika të balancuara mes SHBA-së dhe BE-së dhe të ruajë fleksibilitet ekonomik.

Sipas Ish-presidentit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, presionet afatshkurtra do të kalojnë, dhe mundësitë e reja do të dalin për ata që dinë të pozicionohen me zgjuarsi.