Policia Rrugore e Tiranës gjobit 93 drejtues mjetesh të tonazhit të rëndë, autobusësh dhe furgonësh

Policia Rrugore e Tiranës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit verifikoi dokumentacionin e rreth 200 mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusëve dhe furgonave.

Sipas Policisë Rrugore të Tiranës “93 drejtues të këtyre mjeteve u ndëshkuan me masa administrative, për shkelje të ndryshme”.

“Në zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar nga Policia Rrugore e Tiranës, për kontrollin dhe verifikimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe atyre të transportit publik, me objektivat madhorë përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, gjatë 24 orëve të fundit: janë kontrolluar dokumentacionet e rreth 200 mjeteve të tonazhit të rëndë (betoniere), autobusëve dhe furgonave”, njoftoi policia.

“Prej tyre, 93 mjete të tonazhit të rëndë dhe mjete për transport të përzier kanë rezultuar me parregullsi dhe drejtuesit e tyre janë ndëshkuar administrativisht”, njoftoi policia.

“Konkretisht: 78 masa janë vënë për mjetet e tonazhit të rëndë, për qarkullim jashtë orarit të përcaktuar; 5 masa janë vënë për qarkullim pa certifikatë transporti me vete; 5 masa janë vënë për qarkullim pa certifikatën e kolaudimit; 4 masa janë vënë për qarkullim me të meta teknike; 1 masë është vënë për qarkullim me targa të palexueshme”, bëri të ditur policia.

Kontrollet dhe verifikimet vijojnë. Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.