Musk “derdh miliona” për drejtësinë! Miliarderi shpërndan çeqe për Gjykatën Supreme, demokratët ngrenë padi

Gjykata e Apelit në Wisconsin ka rrëzuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të ndaluar miliarderin Elon Musk që t’u japë dy votuesve nga një çek 1 milion dollarësh, dy ditë përpara zgjedhjeve për Gjykatën Supreme.

Mediet shkruajnë se Musk dhe grupet që e mbështesin kanë shpenzuar mbi 20 milionë dollarë për të ndihmuar Brad Schimel, kandidatin e preferuar nga konservatorët, në garën e së martës, e cila do të përcaktojë drejtimin e gjykatës, ndërsa demokratët janë në mbështetje të gjykatëses Susan Crawford.

Prokurori i Përgjithshëm Josh Kaul ngriti padinë të premten, duke argumentuar se oferta e Musk shkel ligjin pasi po u jepet votuesve çdo gjë me vlerë në këmbim të votës së tyre. Kaul të shtunën më vonë apeloi në Gjykatën e Apelit të shtetit, pasi një gjykatës i qarkut refuzoi të dëgjonte kërkesën për një urdhër urgjent për të bllokuar pagesat.

Nga ana tjetër vetë miliarderi Musk e ka cilësuar zgjedhjen e Brad Schimel si vendimtare për agjendën e Donald Trump dhe për "të ardhmen e qytetërimit", “Është një çështje e madhe,” deklaroi Musk para një turme prej rreth 2 mijë personash në Green Bay, ku u shfaq me një kapelë në formë djathi të verdhë. “Nuk po bëj thjesht një telefonatë, jam këtu personalisht.”

Avokatët e Musk argumentuan se ai po ushtronte të drejtën e tij për lirinë e fjalës përmes këtyre kontributeve dhe se çdo përpjekje për ta ndaluar atë do të përbënte një shkelje të Kushtetutës së Wisconsin-it dhe asaj të SHBA. “Pagesat kanë për qëllim të nxisin një lëvizje kundër gjyqtarëve aktivistë, jo të mbështesin apo kundërshtojnë një kandidat të caktuar,” thuhet në dokumentet ligjore të paraqitura nga avokatët e tij.