Çertifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kurti publikon hartën elektorale: Do të na shërbejë në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ, ka publikuar në rrjetet sociale një hartë elektorale. Kurti shprehet se kjo hartë do të shërbejë si udhërrëfyes për përgatitjet e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit nëpër komuna janë të rëndësishme për analizë dhe strategji në garën e ardhshme për pushtetin lokal. Në hartën e publikuar nga Kurti, LVV ka dalë e para në 21 komuna, e ndjekur nga Lista Serbe në 10 komuna. PDK dhe AAK kanë fituar secila nga tri komuna. Pavarësisht këtij rezultati në zgjedhjet parlamentare, aktualisht LDK qeveris në 9 komuna, PDK në 8, AAK në 5 dhe LVV në vetëm 4 komuna. Nisma qeverisë me Malishevën, ndërsa 11 komuna tjera drejtohen nga partitë e komuniteteve pakicë.