OKB redukton stafin në Rripin e Gazës pas sulmit të fundit izraelit

Kombet e Bashkuara thanë të hënën se do të reduktojnë stafin në Rripin e Gazës – pas sulmit izraelit ndaj një kompleksi te OKB-së javën e kaluar, duke shkaktuar vdekjen e një punonjësi nga Bullgaria dhe duke plagosur pesë punonjës të tjerë, sipas AP.

“Organizata botërore do të largojë përkohësisht rreth një të tretën e rreth 100 punonjësve të saj ndërkombëtarë që punojnë në Gazë”, tha zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.

Ai vuri në dukje rrezikun e shtuar pasi Izraeli rifilloi fushatën e tij ushtarake javën e kaluar që ka shkaktuar vdekjen e qindra palestinezëve.

Izraeli gjithashtu ka ndërprerë të gjitha ushqimet, ilaçet, ndihmat dhe furnizimet e tjera për popullsinë e Gazës, për tre javët e fundit.

Deklarata e Dujarric ishte deklarata e parë e OKB-së që drejtoi gishtin drejt Izraelit në shpërthimin e 19 marsit në kompleksin e OKB-së në Gazën qendrore.

Ai tha se bazuar në informacionin e disponueshëm aktualisht, sulmet në vend ishin shkaktuar nga një tank izraelit.

Ushtria izraelite ka mohuar përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi një ditë pasi Izraeli prishi armëpushimin 2-mujor të Gazës me një bombardim të befasishëm në të gjithë Rripin e Gazës.

Dujarric tha se OKB-ja kishte marrë vendimin e vështirë për të reduktuar stafin e Organizatës në Gazë, edhe pse nevojat humanitare po rriteshin

Ai tha se OKB-ja nuk po largohej nga Gaza, duke theksuar se kishte rreth 13 000 punonjës kombëtar në Gazë, kryesisht duke punuar për UNRWA – agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë.