Elton John 45 minuta mes lotësh! Legjenda e muzikës nis regjistrimin e albumit të ri
Legjenda e muzikës Elton John ka shpërthyer mes lotësh ndërsa ishte duke regjistruar albumin e tij të ri. Mes emocionesh të forta ai ka rrëfyer sëmundjet e shumta
Legjenda e muzikës, Sir Elton John, ka kaluar një moment të fortë emocional gjatë regjistrimit të albumit të tij të ri, "Who Believes In Angels?", që do të publikohet më 4 prill. Gjatë interpretimit të këngës "When This Old World Is Done With Me", ai u përfshi nga emocionet dhe qau për 45 minuta, i vetëdijshëm për faktin se koha e tij është e kufizuar.
“Teksti flet për vdekjen time,” ka rrëfyer artisti 78-vjeçar në podcastin Smartless. Bashkëpunëtorja e tij në album, Brandi Carlile, përshkroi momentin prekës: “Syzet i ranë, e gjithë trupa iu përkul mbi piano, qante pa pushim”.
Këngëtari britanik ka përjetuar probleme serioze shëndetësore kohët e fundit. Verën e kaluar, ai u prek nga një infeksion i rëndë në sy, që i ka dëmtuar shikimin. “Nuk shoh prej katër muajsh, nuk mund të lexoj as tekstet”, ka pranuar ai në një intervistë. Me ironi, ai ka listuar ndërhyrjet kirurgjikale që ka kaluar ndër vite: “Nuk kam më bajamet, apendicitin, adeniodet, prostatën, ijet dhe gjunjët. Në fakt, më ka mbetur vetëm ija e majtë!”, duke shtuar se për të “më e rëndësishmja në jetë është familja”.
Pas 60 vitesh karrierë, me 10 hite në krye të listave britanike dhe mbi 4.600 koncerte, Elton John e përmbylli turneun e tij të lamtumirës në korrik 2023, me një shfaqje madhështore në Tele2 Arena të Stokholmit. “Kam bërë gjithçka që kam dashur në muzikë, ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm”, ka thënë ai, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme në historinë e muzikës botërore.

